Në zyrat e Brukselit nisja e presidencës rumune po shihet me skepticizëm, për shkak të dështimit të Reformës në Drejtësi, ku qeveria e majtë parashikon amnisti për ata që akuzohen për korrupsion. Komisioni Evropian tashmë ka paralajmëruar se në këtë rast, Rumania do të ndjekë shembullin e keq të Polonisë dhe Hungarisë, të cilët janë në konflikt të hapur me ekzekutivin evropian mbi pavarësinë e drejtësisë.
Vetë presidenti rumun, Klaus Iohannis, ka deklaruar se vendi i tij nuk është i gatshëm për të përmbushur këtë detyrë, pasi lideri i Partisë Social Demokrate në pushtet, Liviu Dragnea akuzohet për mashtrim në zgjedhjet parlamentare. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në fund të mandatit të tij, po ashtu ka deklaruar se qeveria në Bukuresht ende nuk e ka kuptuar se çfarë do të thotë të udhëheqësh shtetet e BE-së.
Kryeministrja rumune, në mesazhin e saj si kryesuese e BE-së nuk iu referua zgjerimit të BE-së si prioritet kryesor, pasi në gjashtë muajt e ardhshëm rumunët do t’i kushtojnë më tepër rëndësi sigurisë evropiane, mbrojtjes së kufijve të jashtëm nga një fluks i ri emigrantësh.
“Një prioritet tjetër i jashtëm do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, me qëllim sigurimin e më shumë siguri të jashtme dhe të brendshme. Ne do të përqendrohemi në zhvillimin e dialogut me këto shtete, si dhe përfshirjen e të rinjve në menaxhimin e çështjeve në rajon dhe në komunikimin strategjik të BE-së me Evropën Juglindore”, tha Kryeministrja Viorica Dăncilă.
Klan Plus