Midis nesh
Tema e trajtuar ditë më parë nga ana e HEJZËS përkitazi me një person që kishte mashtruar shumë krijues (rreth përkthimeve në gjuhën rumune), shkaktoi reagime të shumta, duke nxjerrë në pah edhe dukuri tjera negative.
Një ndër to është edhe çështja e sekserëve të botimeve. Në fakt, “përkthyesi i famshëm” që kishte mashtruar shumë krijues, doli se kishte pasur edhe një sekser nga Tetova, i cili e kishte bërë një pazar të mirë, por ja që atë, pra pazarin, ia prishi pikërisht shkrimi i HEJZËS.
Në qarqet letrare të Tiranës, Prishtinës, Tetovës, por edhe më gjerë, ka kohë që zëshëm flitet për llojin e sekserit që ndërmjetëson për botimin e librave. Ky lloj matrapazi që shëtit nga një manifestim letrar në tjetrin, nga një promovim në promovimin tjetër, nga një orë letrare në tjetrin dhe që shitet jo vetëm si patriot e njohës i letërsisë, por edhe si “dashamirë” sidomos i penave të reja, ka për detyrë të gjejë “myshterinj” dhe t’i orientojë te botuesi që gjithashtu është një matrapaz i regjur, por i kamufluar. Natyrisht, sekseri e ka të caktuar hisen e vet dhe më tej nuk çan kokën.
Sekserët e këtillë i ke edhe institucionet shtetërore, përkatësisht aty ku ndahen mjetet për ta ndihmuar botimin e librit. Në këtë biznes të gjithë fitojnë nga pak, por më së shumti humb qëllimi i financimit të librit: vlerat e mirëfillta letrare.
Në veçanti, pre e sekserëve bien ata që janë në fillimet e tyre të krijimtarisë letrare, fillim ky që zakonisht karakterizohet me një entuziazëm dhe dëshira të madhe për t’u bërë me libër një orë e më parë. Dhe këtë “ëndërr” ua realizojnë pikërisht sekserët dhe botuesit e papërgjegjshëm që nuk brengosur fare që i marrin në qafë këta të rinj, të cilët shumë shpejtë kuptojnë se letërsia, përkatësisht poezia, nuk është ajo të cilën ata e kishin paramenduar.
Të kuptohemi, sot të botosh libër, është çështje shumë e lehtë, është të thuash, si një lojë fëmijësh. Mjafton ta bësh pagesën dhe sa mbyll e hap sytë, libri e sheh dritën.
Por, ajo që habit më së shumti, ndonëse janë të njohur këtë sekserë dhe botues të imtë, ka të bëjë me faktin se në qendrat shqiptare, të cilat janë edhe qendra universitare, akademike e kështu me radhë, mungon jo vetëm debati, por edhe guximi intelektual për ta trajtuar këtë temë tejet abuzuese dhe të dëmshme për letërsinë tonë, por jo edhe për sekserët e botimeve….(HEJZA)