“Nuk brengosem për taktikat serbe, kemi përkrahjen globale”. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”.
Shefi i diplomacisë kosovare ka deklaruar se reagimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në UNESCO bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar midis Beogradit dhe Prishtinës.
“I kemi dërguar një notë proteste të gjithë anëtarëve të UNESCO-s për shkak të gjuhës që përdorin zyrtarët serbë, e cila është krejtësisht e papranueshme. Në esencë, faza e fundit e Marrëveshjes së Brukselit ka të bëjë me atë që Serbia më në fund të pranojë planin e Ahtisarit. Kosova dhe Serbia gjithnjë e më shumë po e betonojnë ndërveprimin e tyre si dy shtete të pavarura”, ka thënë Thaçi.
“Jam shumë i lumtur për shkak të mbështetjes së madhe globale që kemi marrë që nga fillimi i këtij procesi. Kemi filluar që në janar me fushatën tonë pozitive informative, të fokusuar në nevojat e Kosovës në lidhje me arsimin, shkencën, ndryshimet klimatike, kulturën. Javën e kaluar, 44 shtete e mbështetën kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO për t’u përfshirë në agjendën e Bordit Ekzekutiv. Nëse shikoni në agjendën e këtij bordi në vitet e fundit, ky ishte një numër rekord i vendeve që janë bashkënënshkruese të iniciativës dhe tregon se ekziston argument i gjerë në botë se Kosova nuk duhet të mbetet e izoluar, por të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare”, tha gjatë intervistës për “Danas” Hashim Thaçi.
Zëvëndëskryeministri ka deklaruar se Kosova ka një strategji mirë të zhvilluar që përbëhet nga disa faza. “Tani do të përqendrohemi në atë që të marrim një rekomandim pozitiv të Bordit Ekzekutiv në tetor dhe pastaj edhe për të marrë një shumicë prej dy të tretash në nëntor. Kemi shpërndarë me mijëra materiale, libra, botime dhe do të vazhdojë të sigurojmë informacione të përshtatshme nga Kosova. Jemi shumë të nderuar që na kanë mbështetur aq shumë shtete”.
“Kosova do të ketë forcat e armatosura, sepse kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe një domosdoshmëri e provuar. Kemi marrë mjaft mbështetje nga NATO për forcat tona të sigurisë dhe evoluimin e tyre, dhe tani po ashtu e kemi përfunduar strategjinë e sigurisë. Forcat e armatosura të Kosovës do të jenë një ushtri multietnike nën kontrollin civil dhe është shumë mirë në qoftë se edhe politikanët serbë në Kosovë e shohin si kontribut për paqen dhe arkitekturën e qëndrueshme të sigurisë në Ballkan. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se këto forca duhet të integrohen në familjen atlantike të popujve në mënyrë që në kontakt të ngushtë me aleatët tanë të përfundojmë këtë transformim në mënyrën e duhur”, tha në fund zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë kosovare, z. Hashim Thaçi.