Festivali i famshëm/ Pesë të lënduar në vrapin me dema

Tre persona janë plagosur dhe dy të tjerë kanë pësuar trauma në kokë, në ditën e parë të festivalit të famshëm, të vrapimit me dema, në Spanjë, në qytezën veriore të Pamplonës.

Një person u ngjit në një ambulancë, pak pas nisjes së çmendurisë, në rrugët e ngushta të qendrës së qytetit, që zgjati dy minuta dhe 41 sekonda.

Me mijëra vrapues të veshur nga koka tek këmbët me të bardha, por me shami të kuqe në qafë, mblidhen çdo vit për vrapin tradicional të mëngjesit, pas të cilit, kafshët mbahen në arena deri në sfidat e pasdites.

“Është një shpërthim adrenaline, bota ndalon, je vetëm ti, demi dhe njerëzit që vrapojnë përreth teje. Është një çmenduri”, është shprehur një vrapues.

Në total 53 persona janë trajtuar nga kryqi i kuq. Vrapuesit shpesh lëndohen në vrapimin tradicional me demat, në Spanjë, por askush nuk ka humbur jetën në festivalin e “San Ferminit”, në Pamplona që kur spanjolli, Daniel Jimeno u godit për vdekje, në qafë, nga një dem, në 2009.

Festivali, rregullisht ndez debate për trajtimin e kafshëve. Të premten, para fillimit të festivalit, protestues gjysmë të zhveshur, dolën në rrugë, për të kundërshtuar atë që ata e konsiderojnë një mizori.

Festivali nëntë ditor i “San Ferminit”, ku demat vrapojnë, për çdo mëngjes dhe vriten në arena pasditeve, tërheq rreth një milionë vizitorë, çdo vit.

Leave a Reply