Kryeministri takon ndihmës-sekretarin amerikan: Flasin për ushtrinë dhe dialogun me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në këtë takim u bisedua për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Ëess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj falënderoi Ndihmës Sekretarin Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton është e fokusuar në zbatim dhe prioritet e ka zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë takim, po ashtu u bisedua për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Ëess Mitchell, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane  në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Leave a Reply