Ambasadorja Haley: Assadi do të goditet përsëri nëse përdor armë kimike

Zonja Haley tha për rrjetin Fox News: “Nëse Assadi nuk e ka dëgjuar mesazhin” pas goditjes me 105 raketa të shtunën në sulmin e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, “do ta pësojë. Do të ketë sulme të tjera. Nuk mund lejojmë as përdorimin më të vogël të armëve kimike”.

Ambasadorja amerikane tha se “është plotësisht në dorë të Assadit” nëse bëhet fjalë për një goditje të vetme nga aleatët perëndimorë në përgjigje të sulmit me armë kimike që besohet që kreu regjimi sirian një javë më parë dhe që la mbi 40 të vrarë, ose nëse do të ketë një fushatë të vazhdueshme ushtarake kundër Sirisë.

Në një intervistë për rrjetin CBS, zonja Haley tha se të hënën do të njoftohen sanksione të reja kundër Rusisë për mbështetjen që i jep regjimit të Assadit. Sanksionet, tha ajo, do të godasin “direkt çdo kompani që ka punë me pajisjet që kanë lidhje me sulmin me armë kimike në Siri”.

Si rrjedhojë e angazhimit rus në mbështetje të Sirisë dhe kritikave të forta që Moska ka bërë në lidhje me sulmin e aleatëve perëndimorë kundër objekteve strategjike të Assadit, zonja Haley pohoi se marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në një pikë të ulët.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se në analizën fillestare rezulton se çdo raketë e hedhur dje në mëngjes mbi Siri ka goditur objektivin e synuar, duke shndërruar në rrënoja e pluhur objekte strategjike të qeverisë siriane dhe duke shmangur viktima në radhët e civilëve.

Zyrtarët thonë se kanë bindjen se forcat qeveritare siriane kanë përdorur gaz klorin kundër civilëve javën e kaluar në Siri dhe se tani po analizojnë provat që lënë të besohet se mund të jetë përdorur edhe gaz sarin. “Provat se ka pasur sulm me armë kimike janë të pamohushme,” thanë zyrtarët ushtarakë amerikanë dje.

Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson tha për BBC-në se nuk ka plane për sulme të tjera ushtarake kundër Sirisë, por nëse regjimi sirian përdor përsëri armë kimike, aleatët mund të shqyrtojnë mundësinë e goditjeve të tjera.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca hodhën 105 raketa kundër tre objekteve të programit të armëve kimike siriane: një në kryeqytetin e vendit, Damask, dy të tjera në Homs, pranë kufirit me Libanin./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *