Gjermania është me reformat – Zëdhënësi i Merkel: Ulni tensionet, çoni përpara reformat

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë në Parlament me njëra-tjetrën.

Ai thotë se dhuna, retorika e dhunshme nuk duhet të bëhet mjet për arritjen e pozicioneve të kundërta politike.

DW: Që prej dy javësh opozita bllokon në Shqipëri Parlamentin. Udhëheqësi i opozitës Basha thotë se ka mbështetjen e shumë përfaqësuesve ndërkombëtarë që qeveria e korruptuar e Edi Ramës të largohet nga pushteti dhe që në vend të saj të vijë në pushtet një qeveri teknike, e cila të qëndrojë në pushtet deri në qershor. A bën pjesë qeveria gjermane të shumë përfaqësuesit ndërkombëtarë, që e mbështesin këtë kërkesë të opozitës?

 Steffen Seibert: Unë nuk e njoh këtë pohim të drejtuesit të opozitës. Ajo që mund t’ju them për qeverinë gjermane është se ne e mbështesim kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Siç e dini Shqipëria ka bërë disa hapa në drejtim të reformës së saj të gjerë të drejtësisë.

Gjermania e shoqëron dhe e mbështet pikërisht këtë proces të reformës në drejtësi, për shembull duke dërguar gjykatës gjermanë në misionin e shtetit juridik Euralius. Është në interesin e njerëzve në Shqipëri, shumica dërmuese e të cilëve e kërkon këtë reformë, që të ecet përpara në këtë rrugë.

Për këtë është e rëndësishme që të gjitha forcat të bashkëpunojnë në Parlament me njëra-tjetrën. Në këtë kuadër, qeveria gjermane u bën thirrje partive politike shqiptare që të mbajnë qëndrime të moderuara në debatin politik. Dhuna, retorika e dhunshme, siç dëgjohet pjesërisht, nuk mundet dhe nuk duhet të lejohet që të bëhet mjet për arritjen e pozicioneve të kundërta politike./DW/

 

Leave a Reply