Greqia notë verbale ndaj Mizrahit të Vmro-së, Dimitrov kërkon shkarkimin e saj

Athina zyrtare ka reaguar me notë verbale ndaj vendimit të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Rashell Mizrahi, për të larguar tabelën me emrin kushtetues të shtetit dhe vendosjen e tabelës me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë, njoftoi sot ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Dua të informoj opinionin se për këtë ngjarje MPJ i informoi partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht morëm edhe reagim zyrtar nga Greqia fqinje në formë të notës verbale të datës 7 shkurt”, deklaroi Dimitrov. Ai citoi se në këtë notë Greqia ka kujtuar në nenet e shkelura nga ministrja dhe në faktin se Greqia, falë Marrëveshjes së Prespës, është mbështetëse e fuqishme e integrimeve të vendit tonë në strukturat euro-atlantike.

Ministri Dimitrov për këtë qëllim ka kërkuar publikisht nga kryeministri Oliver Spasovski që të propozojë në Kuvend shkarkimin e ministres Mizrahi, nëse kjo e fundit nuk përmirëson veprimin e saj të cilin e vlerësoi si antikushtetues.
“Shkelja flagrante e Kushtetutës tërheq edhe përgjegjësi politike dhe ligjore. Nëse menjëherë veprimin e saj nuk e kthen në linja të Kushtetutës, i sugjeroj kryetarit të Qeverisë zotëri Oliver Spasovskit, që të propozojë shkarkimin e saj në Kuvend”, ka thënë Dimitrov.

Në konferencën e sotme për media, kreu i diplomacisë shtoi se ky veprim i ministres së Punës dhe Politikës sociale paraqet edhe vepër penale me çka tha Dimitrov duhet të merren institucionet kompetente.

Leave a Reply