Krimineli i Selenicës nuk dinte të shkruante as emrin në polici!!

Ritvan Zykaj, 24-vjeçari që vrau 8 të afërmit e tij, kishte kaluar një incident të rëndë disa vite më parë. Incident që, sipas banorëve, kishte ndikuar më vonë në sjelljen e tij dhe problematikat që shfaqte herë pas herë.

Ai ishte djegur në pjesën më të madhe të trupit, thuajse 80 për qind, teksa ishte në stan me bagëti dhe që nga ai moment gjendja e tij emocionale, por edhe shëndetësore, nuk ka qenë më e zakonshme. Madje, në atë kohë, kishte qenë një nga kushërinjtë e tij, djali i njërit prej viktimave, që e kishte nxjerrë nga stani që u përfshi nga flakët, duke i shpëtuar jetën.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se gjatë deklarimeve që i janë marrë autorit të krimit, 24-vjeçarit Ritvan Zykaj, nuk ka të dhëna konkrete nëse ai vuan nga probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, prokurori ka kërkuar që të kryhet një ekspertizë mendore nga psikologë e psikiatër, për të përcaktuar me saktësi nëse ka apo jo probleme të kësaj natyre.

Në një postim të paprecedentë pas krimit, të një fotografie të tijën postuar më 6 gusht, Ritvan Zykaj u përgjigjet me një fjalor banal komentuesve në “Facebook” që dënojnë veprimin e tij. “Ç’më keni çar kr…”, shkruan në koment i riu, që ishte në kërkim policor si autor i masakrës me 8 të vrarë në fshatin Resulaj. Por, në Polici ai ka mohuar që ta ketë përdorur ai “Facebook”-un, duke u shprehur se mund të ketë shkruar ndonjë person tjetër. Megjithatë, komentet kanë qenë të ndryshme nga personat që dënonin ashpër krimin e tij.

Vijon të mbetet ende e paqartë sesi arrinte të komunikonte në rrjete sociale (ndonëse me gabime të shumta drejtshkrimi), pasi në Drejtorinë e Policisë së Vlorës ai nuk ka ditur të shkruajë me saktësi as emrin e tij dhe as të hedhë firmën e tij.

Leave a Reply