Kurti falënderoi Lajçakun për kundërshtimin e idesë së shkëmbimit të territoreve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit, fillimisht kryeministri në detyrë diskutoi me Lajçakun për situatën me pandeminë COVID-19 në Kosovë.  Në takim u diskutua për kalimin në fazën e dytë të lirimit gradual të masave, dhe rezultatet e fundit në menaxhimin e COVID-19 sipas të cilave numri i të shëruarve është trefish më i lartë së numri i rasteve aktive.

“Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kryeministri në detyrë Kurti përsëriti përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj. Me këtë rast, Kurti e falënderoi Lajçakun për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, ide që nuk ka as mbështetje rajonale”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Kryeministri në detyrë po ashtu parashtroi kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Leave a Reply