Merr fund rezistenca, policia plagos dhe arreston 45-vjeçarin

Hapi zjarr ndaj efektivëve

Josif K., 45-vjeçari nga fshati Seltë i Elbasanit që qëlloi ndaj policisë, është plagosur dhe arrestuar këtë të premte.

Disa efektivë kishin shkuar në shtëpinë e tij për një kontroll banese pas një vendimi gjykate të enjten (24 Dhjetor). Por kur pa policinë, ai qëlloi me armë në drejtim të tyre dhe më pas u largua.

Në vendin e ngjarjes shkuan në ndihmë të forcave vendore të policisë së Elbasanit edhe RENEA. Policia ka njoftuar se nga grupi negociator i forcave speciale i ka bërë thirrje Josif K. që të dorëzohet, por ai nuk i është bindur.

Në orët e para të mëngjesit, 45-vjeçari ka qëlluar sërish me armë, kësaj here në drejtim të forcave RENEA. Por gjatë shkëmbimit të zjarrit, ai ka mbetur i plagosur.

Policia thotë se 45-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur një pushke dhe një sëpatë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan , vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Leave a Reply