Revolta e botës ndaj masave antiCovid

“Shpërthimi” i fundit në Marsejë kundër masave të vendosura nga qeveria franceze për të kufizuar përhapjen e covid-19 nuk është sigurisht një përjashtim. Edhe nëse frika nga pandemia, e cila tani ka shkaktuar më shumë se një milion vdekje në botë, ndihmon në zbatimin e rregullave anti-infeksion, në çdo pjesë të Evropës ka lëvizje kundër maskave dhe demonstrata kundër masave të qeverive, të konsideruara si kufizuese të lirive ose jokoherente.

Në Gjermani, pajtueshmëria me masat e marra nga autoritetet mbetet në shumicën e qytetarëve. Në mes të shtatorit, TV publik Zdf tregonte një normë miratimi prej 69 përqind, pra një mbështetje nëntë pikë më e lartë se në mes të gushtit.

Por virulenca e lëvizjes kundër maskave e detyron qeverinë e Angela Merkelit të jetë vigjilente. Më 29 gusht, sulmi në selinë e parlamentit nga disa militantë të ekstremit të djathtë që kishin marrë pjesë në një protestë, i la të gjithë të shtangur. Edhe pse, sipas Zdf, vetëm 14 përqind e të intervistuarve i miratojnë këto demonstrata, lëvizja është shumë aktive në rrjetet sociale.

Para se të vendosë kufizime të reja, Merkeli e di se do të duhet të përballet me kundërshtimin e disa land-eve, në veçanti të Saksonisë dhe Saksonisë-Anhalt. Presidentët e këtyre dy shteteve në Gjermaninë lindore, ku numri i infeksioneve është veçanërisht i ulët, deklaruan më 27 shtator se ishin kundër një shtrëngimi të mëtejshëm të masave.

Në Hollandë, lëvizja kundër maskave u përpoq të imitonte shembullin gjerman. Demonstratat në Hagë çuan në përplasje me policinë. Në disa video të transmetuara në rrjetet sociale, mund të dëgjohej një bisedë ku përmendej vrasja e Kryeministrit Mark Rutte.

Lëvizja, megjithatë, ka vështirësi të strukturohet: e djathta ekstreme ka kritikuar vazhdimisht menaxhimin e pandemisë, por nuk dëshironte të përfshihej në këto mobilizime, duke lënë “kolektivat e qytetarëve” të organizonin një protestë që mbetet mjaft e kufizuar. Qeveria Hollandeze lëkundet midis vendosmërisë për të kufizuar një valë të dytë të mundshme dhe refuzimit të një izolimi të ri. Ditët e fundit, kurba e infeksioneve është rikthyer në nivelet e mesit të majit.

Në Itali sistemi shëndetësor është i decentralizuar, dhe për këtë arsye janë presidentët e rajoneve që vendosin për çdo masë që do të merret. Guvernatori i sapozgjedhur i Campanias, Vincenzo De Luca ka rivendosur detyrimin për të mbajtur maskën në ambientet e jashtme, imituar në 27 Shtator nga ai siçilian, Nello Musumeci. Në disa raste këto masa janë rregulluar në nivel lokal, si përshembull në qendër të Genovas.

Por këto kufizime, të cilat duket se i përgjigjen sa kritereve shëndetësore, aq edhe logjikës lokale, përgjithësisht priten mirë nga qytetarët, të traumatizuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga epidemia në Lombardi, në mars dhe prill. Dhe ato gjithashtu sjellin avantazhe elektorale. Drejtuesi i Lega, Matteo Salvini, i cili u përpoq të merrte pëlqimin e skeptikëve, duket se ka paguar për gabimin e tij taktik, me një humbje të popullaritetit në sondazhe.

Revolta e Konservatorëve britanikë

Në Mbretërinë e Bashkuar, vullneti i mirë i Britanikëve ka filluar të lëkundet. Kufizimet e fundit të vendosura nga qeveria (vendet publike të mbyllura në orën 22:00, izolimi i mijëra studentëve në kampuset universitare, ndalimi i vizitave familjare, etj.) i kanë dhënë një impuls të ri protestave, të cilat çdo të martë mbledhin mijëra njerëz në sheshin Trafalgar, Londër.

Ndryshimet e shumta në vendime, nga ana e qeverisë së Boris Johnsonit dhe dështimi i sistemit të testimit dhe gjurmimit shpjegojnë kryesisht këtë humbje të besimit në aftësinë e qeverisë për të menaxhuar epideminë. Historia e Dominic Cummings, këshilltari i Boris Johnsonit, i cili refuzoi të japë dorëheqjen pasi shkeli izolimin, gjithashtu kishte peshën e saj.

Dhe revolta po shpërthen gjithashtu në Partinë Konservatore të Johnsonit. Më 27 shtator Graham Brady, kreu i grupit kryesor të deputetëve Konservatorë, arriti të mbledhë 46 deputetë në favor të një ndryshimi që do t’i jepte parlamentit të drejtën e vetos, për çdo masë të re kufizuese të vendosur nga qeveria. Sidoqoftë, kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit nuk e pranoi ndryshimin dhe Johnsoni ia doli të shmangë humbjen e parë të madhe politike, që nga triumfi i tij në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2019.

Në Spanjë, masat e fundit të marra nga rajoni i Madridit janë pritur shumë keq. Në lagjet popullore të zonës jugore të kryeqytetit, ku shkalla e incidencës është më e lartë, banorët mund të dalin vetëm për të punuar, shkuar në shkollë, tek mjeku ose për raste urgjencash. Në përgjigje të këtij vendimi, Federata Rajonale e Shoqatave të Fqinjësisë së Madridit (Fravm) mbajti rreth pesëdhjetë demonstrata në 24 Shtator, dhe qindra njerëz iu përgjigjën thirrjes për të denoncuar një “bllokim diskriminues, të padrejtë dhe joefektiv”. Që atëherë protestat po zhvillohen çdo ditë.

Masat e reja janë refuzuar mbi të gjitha sepse ato nuk prekin disa lagje të kryeqytetit, që kanë një normë të ngjashme infeksionesh. Edhe mospërputhja e masave – parqet dhe kopshtet janë mbyllur, por jo sallat e lojërave të fatit dhe qendrat e basteve, ndërsa baret dhe restorantet mund të qëndrojnë të hapura deri në orën 10 – ka nxitur zemërimin e banorëve, të cilët akuzojnë qeverinë rajonale se ka mbyllur vetëm lagjet që nuk votojnë djathtas.

Protesta më domethënëse erdhi nga vetë rajoni i Madridit, ku presidentja Isabel Ayuso e Partisë Popullore (PP, djathtas) refuzon të zbatojë rekomandimet e qeverisë, duke argumentuar se ajo nuk dëshiron të dëmtojë një ekonomi lokale, edhe kështu e gjunjëzuar. “Kemi javë të vështira përpara. Nuk është një betejë ideologjike, por një betejë epidemiologjike”, u përgjigj ministri socialist i Shëndetësisë.

Në Rumani, shfrytëzimi politik është edhe më i qartë. Social Demokratët kritikojnë sistematikisht masat e vendosura nga qeveria e udhëhequr nga Partia Kombëtare Liberale (PNL) dhe mbështesin teoritë e konspiracionit që qarkullojnë në vend. Më 19 shtator në Bukuresht dhe qytete të tjera u zhvilluan demonstrata kundër detyrimit për të mbajtur maskë.

Tundimi suedez

Pra, a mos buron nga frika e acarimit të qytetarëve që disa vende, megjithë shifrat alarmante, heqin dorë nga vendosja e kufizimeve të reja?

Belgjika së fundmi i befasoi të gjithë duke njoftuar se masat në fuqi do të zbuten nga 1 Tetori: përfundimi i detyrimit për të mbajtur maskë në hapësirat publike, zgjerimi i kontakteve shoqërore të lejuara, periudha e izolimit e zvogëluar nga katërmbëdhjetë në shtatë ditë, etj.

Në Poloni, ku infeksionet kanë arritur nivelet më të larta që nga fillimi i pandemisë, kufizimet janë ende shumë më pak të rrepta se para verës, dhe pajtueshmëria e qytetarëve është shumë e paqartë. “Kryeministri ynë dhe ministri ynë i Shëndetësisë janë të dy ekonomistë dhe më duket se ata i japin përparësi ekonomisë,” tha kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në shkollën mjekësore në Zielona Góra.

Kudo, tundimi për të imituar shembullin e Suedisë duket se po gjen terren. Në Suedi, nuk ka pasur bllokim dhe shkollat ​​nuk janë mbyllur.

Por edhe atje banorët tregojnë shenja të intolerancës. Sidomos tani që, me rritjen e infeksioneve, qeveria ka lënë të kuptohet se mund të vendosë kufizime të targetuara për një periudhë të kufizuar kohore.

Sipas një studimi të kryer nga instituti Ipsos dhe botuar në fillim të shtatorit, besimi i suedezëve në aftësinë e qeverisë për të menaxhuar pandeminë ka rënë nga 50 përqind mendim pozitiv në maj, në 36 përqind në gusht. / Le Monde – Bota.al

Leave a Reply