Teatri i Qytetit në Vushtrri do të quhet “Adem Mikullovci”

Lindi para 81 vjetëve në Komunën e Vushtrrisë, derisa pjesën më të madhe të veprimtarisë e zhvilloi në Komunën e Mitrovicës.

Por, edhe përkundër kësaj, vushtrriasit vendosën që ta nderojnë figurën e aktorit të ndjerë Adem Mikullovci duke e emëruar teatrin e këtij qyteti me emrin e tij.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Vushtrri, Fatmire Cecelia, tha se iniciativa ishte e asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

“Si propozim ka ardhur nga Grupi Kuvendar i Lëvizjes Vetëvendosje që Teatri i Qytetit të emërohet me emrin e aktorit të ndjerë vushtrrias Adem Mikullovci. Sot, në seancën e cila është mbajtur në Kuvendin Komunal, është votuar që Teatri i Qytetit tash e tutje ta mbajë emrin e aktorit Adem Mikullovci”.

Cecelia, në një lidhje në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se në Kuvendin Komunal kanë qenë tre propozime për emrin e Teatrit të Vushtrrisë.

“Propozimi i parë ishte me emrin e Adem Mikullovcit, propozimi i dytë me emrin e aktorit vushtrrias Xhemajl Cecelia, si dhe propozimi i tretë ka qenë që Teatri i Qytetit ta mbajë emrin që e kishte deri më tani “Teatri i qytetit të Vushtrrisë””.

E para e kulturës në Vushtrri tha se emërimi i Teatrit të Qytetit “Adem Mikullovci” është nder krenari.

“Sot kuvendarët kanë votuar që Teatri i Qytetit ta bartë emrin e Adem Mikullovcit. Padyshim që është nder dhe krenari që Teatri i Vushtrrisë, i cili është themeluar në vitin 1953 dhe ka qenë vazhdimisht aktiv, ta mbajë emrin e Adem Mikullovcit”.

“Vushtrria ka ditur t’i japë bijtë e saj dhe gjithsesi edhe di t’i nderojë, siç është shembulli i Hasan Prishtinës, Ahmet Krasniqit, pse jo edhe i Adem Mikullovcit”.

Ajo foli edhe për punimet që po zhvillohen te institucionet kulturore në këtë komunë duke thënë se shpreson se me kalimin e pandemisë, Teatri i Qytetit të jetë goxha aktiv.

“Ashtu siç e dini, Teatri i Qytetit dhe Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina” janë në renovim. Punimet pritet të përfundojnë shumë shpejt. Shpresoj që, sapo të kalojë kjo situatë me pandemi, Teatri i Qytetit do të jetë shumë aktiv dhe do të jetë i frekuentuar nga të gjithë qytetarët e Vushtrrisë”.

Leave a Reply