Shqiptari famëkeq i ashtuquajtur “Banditi i Wimbledon” është dënuar me 14 heqje lirie. Ashtu siç pritej, gjykata e Kingston në Britani dha të premten verdiktin për Astrit Kapajn, 43-vjeçarin i cili me grabitjet e tij përgjatë një dekade u kthye në tmerrin e zonave të pasura në jugperëndim të Londrës.
Kapaj, i martuar dhe pronar i një dyqani, jetonte në Altrincham të Manchesterit. Pre e grabitjeve të tij ranë edhe tenisti Boris Becker dhe futbollisti Nicolas Anelka. Në total ai dyshohet se me aktivitetin e tij kriminal kishte mundur të përfitonte një pasuri prej 5 milion paundësh.
Teksa doli para gjykatës së Kingston në Prill, ai pranoi 21 grabitje, bizhuteri e para kesh me vlerë 497 mijë paund, të cilat nuk u gjetën kurrë.
Megjithatë, sipas hetuesve, janë më shumë se 200 grabitje që përngjajnë me “punën” e shqiptarit, por ata nuk kanë mundur që ta lidhin 43-vjeçarin me këto raste.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e enjte, detektivët e përshkruajtën grabitësin shqiptar si “të disiplinuar dhe të duruar”. Ata thanë se ai ishte “i organizuar dhe diskret” dhe shpesh linte para dhe bizhuteri nga pas, në mënyrë që viktimat e tij të mos e kuptonin që ishin grabitur. Vetëm në vitin 2016, falë ADN-së, detektivët arritën ta lidhnin shqiptarin me grabitjet e kryera prej tij.