Çka feston Shaqir Fetai

Mbyllja e Medresesë Isa Beu dhe, regjistrimi i një gjimnazi që ka për qëllim të ofrojë një arsim të përgjithshëm dhe jo specifik fetar, nuk është vetëm një humbje për individët që kanë kaluar atje, por një thyerje e rëndë e një linku të rëndësishëm mes brezave

Nga Mahir Rexhepi

Në një periudhë kur arsimi fetar dhe trashëgimia kulturore e komunitetit mysliman janë më të nevojshme se kurrë për ruajtjen e identitetit dhe vlerave të tij, veprimet e Shaqir Fetait kanë shënuar një moment të trishtë në historinë e arsimit fetar në Maqedoninë e Veriut. Mbyllja e Medresesë Isa Beu dhe regjistrimi i saj si një “Gjimnaz Medreseja Isa Beu” ka shkaktuar një krizë të thellë, duke thyer një traditë të pasur të formimit të kuadrove fetarë që kanë kontribuar për breza të tërë në ruajtjen e besimit dhe mësimit të thellë islam. Ky akt, përtej asaj që mund të duket si një përpjekje për modernizim, është një hap i dëmshëm që ka shkaktuar dhimbje të madhe tek ata që kanë sakrifikuar për ndihmën e këtij institucioni. Ndërsa në të ardhmen e afërt pasojat nga ky akt kriminal do të ndjehen shumë fortë.
Mbyllja e Medresesë Isa Beu është një akt që ngre shumë pyetje mbi motivet e Shaqir Fetait. Ai ka vendosur të regjistrojë një gjimnaz publik-privat, i quajtur “Gjimnazi Medreseja Isa Beu”, duke u përpjekur të akreditojë një institucion që, për vite me radhë, ka shërbyer si një vatër arsimore për hoxhallarë për nevojat fetare të myslimanëve në Maqedoninë e Veriut. A është kjo një përpjekje për të modernizuar dhe për të përmirësuar sistemin arsimor, apo ka diçka më shumë pas saj? E vërteta duket të jetë se ky akt i Fetait është një hap i mëtejshëm në përpjekjen e tij për të shkatërruar një traditë të pasur që ka ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë myslimane për dekada të tëra.
Në të vërtetë, Shaqir Fetai ka ndërmarrë një veprim mbi një ofertë që është ofruar edhe më herët por që drejtuesit e më parshëm të BFI-së nuk e kanë pranuar dhe e kanë hudhur kategorikisht duke mos dashur të ndryshojnë karakterin e saj si një shkollë fetare. Oferta ishte që Medreseja të akreditohej si një shkollë e mesme publiko-privat, që do t’i nënshtrohej programeve të Ministrisë së Arsimit, me të drejtë për t’i integruar edhe dy-tri lëndë fetare si lëndë zgjedhore. Por, natyrisht, drejtuesit e BFI-së të asaj kohe, të cilët kishin një angazhim të thellë për ruajtjen e integritetit të arsimit fetar, refuzuan këtë ofertë, sepse ata nuk donin që Medreseja të humbte thelbin e saj si institucion i formimit të kuadrove fetarë të specializuar. Kurse Shaqir Fetai, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, ka pranuar ofertën që asnjëherë nuk ishte pranuar më parë. Kjo ka ndodhur në një periudhë kur figura politike si Artan Grubi dhe Talat Xhaferi kërkonin mbështetje nga votuesit myslimanë të vendit. Sidoqoftë, ky akt i Fetait nuk ka pasur si qëllim vetëm “modernizimin” e arsimit fetar, por ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në përpjekjen për të manipuluar mbështetje politike, duke i ofruar një mundësi për të përfituar nga votat e komunitetit mysliman në këmbim të një “lëshimi” të mësimit fetar dhe një reforme që e dëmton atë.
Për të kuptuar më mirë pasojat e këtij vendimi, duhet të analizojmë historinë dhe rolin e Medresesë Isa Beu. Kjo medrese, e themeluar me mundin dhe përkushtimin e shumë individëve, ka kontribuar për formimin e hoxhallarëve dhe profesionistëve të tjerë të arsimit fetar, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditës islame dhe në zhvillimin e komunitetit mysliman. Mbyllja e saj, dhe regjistrimi i një gjimnazi që ka për qëllim të ofrojë një arsimi të përgjithshëm dhe jo specifik fetar, nuk është vetëm një humbje për individët që kanë kaluar atje, por një thyerje e rëndë e një linku të rëndësishëm mes brezave.
Një nga akuzat më të rënda ndaj Shaqir Fetait është se ai ka ndërmarrë këtë veprim për të mundësuar akreditimin e një institucioni që, në thelb, është i ndryshëm nga ajo që ishte Medreseja Isa Beu. Ky akt ka për qëllim që të fshehë faktin se Medreseja Isa Beu ka qenë një shkollë e mesme profesionale për formimin e hoxhallarëve, ndërsa ky gjimnaz i ri që ai ka krijuar nuk do të ofrojë një edukim të specializuar në fushën e fesë, por thjesht një edukim të përgjithshëm, pa lidhje me mësimin e thelluar të doktrinës islame. Ky është një hap që i dëmton të rinjtë dhe traditën e tyre fetare, duke i larguar ata nga një formim më i thellë dhe më i strukturuar.
Kësaj radhe, ky “event” i Shaqir Fetait do të bojkotohet nga profesorët dhe nëpunësit më të vjetër të Medresesë Isa Beu, sepse ai ka shmangur të ftojë ata individë që janë të lidhur ngushtë me themelimin dhe zhvillimin e Medresesë Isa Beu, duke përfshirë emra të shquar si Sabahudin ef. Mahmuti, Sulejman ef. Rexhepi dhe Bahri Aliu. Ky akt i tij është i papranueshëm për shumë arsye, por më e rëndësishmja është se ai po injoron dhe po mohon kontributin e këtyre individëve që kanë sakrifikuar për arsimin dhe kulturën fetare, duke formuar breza të tërë hoxhallarësh dhe intelektualësh myslimanë. Shaqir Fetai dëshiron të krijojë bindjen e fortë se në Maqedoninë e Veriut islami fillon prej kur ai me intriga dhe me ndihmën e shërbimeve të dyshimta, uzurpoi vendin e të parit të Institucionit.
Mbyllja e Medresesë Isa Beu është një shenjë e qartë se Shaqir Fetai është angazhuar në një projekt të gjerë për të shkatërruar strukturat e BFI-së, që ka qenë një shtyllë e rëndësishme për myslimanët e Maqedonisë së Veriut. Me këtë veprim, ai po tenton të ndryshojë karakterin dhe objektivat e arsimit fetar në vend, duke i dhënë një hapësirë më të madhe për lëndët që, sipas shumë kritikëve, janë “ilegale” dhe pa lidhje me edukimin e drejtë fetar.
Në fund, ajo që po feston Shaqir Fetai është një arritje e përkohshme, një akt që i ka shkaktuar dëm të madh traditës, arsimit dhe besimit të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut. Ky akt i tij është një shenjë e qartë se, në vend që të respektojë trashëgiminë dhe përpjekjet e atyre që kanë ndihmuar në zhvillimin e arsimit fetar, ai po synon të ndërmarrë një drejtim të rrezikshëm që mund të ketë pasoja të pakthyeshme për brezat që vijnë.

Leave a Reply