BFI-ja në situata si kjo e virusit Korona

Si të gjendemi në të sotshmen, si të sillemi në të sotshmen, si të organizohemi në të sotshmen, si të veprojmë në të sotshmen, ç’porosi, ç’mesazhe t’i përçojmë të nesërmes, që të ndjehemi krenarë se ishim në krye të detyrës në situatë të jashtëzakonshme dhe emergjente si pasojë e përhapjes së virusit katastrofal

Nga Afrim Tahiri

Njerëzimi deri më sot ka përjetuar fenomene nga më të ndryshmet, është detyruar të përshtatet me mënyra të ndryshme të jetës, me forma të reja të organizimit të shoqërisë, nëpër sisteme të ndryshme si pasojë e ideologjive shoqërore si dhe të fenomeneve të ndryshme natyrore. Varësisht nga ndikimet e jashtme, ka zhvilluar identitet kulturor, ka ngritur sistem vlerash fetare, arsimore, shëndetsore, sociale etj. Por, kanë ndodhur ngjarje të cilat përjetësisht kanë sjellë ndryshyme rrënjësore globale. Tutje, asgjë nuk ka ndodhur më si deri në çastin e shfaqjes vetëtimthi të fenomeneve të ndryshme, të katastrofave përmbytëse. Mbarë njerëzimi sot është i bindur se e nesërmja nuk do të jetë më si e djeshmja, asgjë nuk do të jetë më si deri ditë më parë. Virusi Korona, Covid 19, tashmë ka ndërgjegjësuar njerëzimin se, pas këtij fenomeni natyror, pas kësaj sëmundje që po e thenë botën në kurriz, do të duhet një formë e re e organizimit të jetës, të ekonomisë, të shëndetit, të aktiviteteve të përgjithshme jetësore, një impenjim i detyrueshëm në zhvillimin e teknologjisë, një nënshtrim urgjent për teknologjizim total të shoqërisë. E tëra kjo për nesër! Por, çka sot, çka sot deri sa jemi në vorbullën e paralajmërimit të asaj që do të na gjejë nesër!
Si të gjendemi në të sotshmen, si të sillemi në të sotshmen, si të organizohemi në të sotshmen, si të veprojmë në të sotshmen, ç’porosi, ç’mesazhe t’i përçojmë të nesërmes, që të ndjehemi krenarë se ishim në krye të detyrës në situatë të jashtëzakonshme dhe emergjente si pasojë e përhapjes së virusit katastrofal!
Në çpozita dhe në ç’situata gjendet sot Bashkësia Fetare Islame në RMV? A guxojmë që Institucionin tonë ta shpërfaqim në subjekt lypësi, ta lëmë në bisht të institucioneve me rëndësi të papërfillshme! Sot shteti shpall gjendje të jashtëzakonshme, orë policore që kufizojnë lëvizjet e njerëzve dhe që kërkojnë mbylljen e tyre brenda mureve të shtëpisë! Pa dyshim që, këtyre masave i nënshtrohen të gjithë, çdo njeri dhe çdo institucion, çdo subjekt fizik e juridik. Situata emergjente kërkon shpëtim të njerëzve, shpëtim të vlerave që u duhen njerëzve që do ta vazhdojnë jetën nesër.
Bashkësia Fetare Islame, organizimi i jetës fetare islame, Institucioni i vetëm fetar islam në vend, megjithatë, i ka specifikat e veta, të cilat, gjithësesi që duhet të përshtaten me masat e vëna nga shteti, qofshin ato edhe të përkohëshme, dy-tri ditëshe! A ekziston mundësia e keqintepretimit të masave të jashtëzakonshme në të mirë të keqpërdorimit të pozitës! Do me thënë, a ekziston mundësia e kalimit të kompetencave të organit kolektiv në kompetenca të organit-person! Jo rallë Bashkësia Fetare Islame është interpretuar si “shtet” në shtet, si “Vatikani në Itali” dhe, kur ka hasur sharra në gozhdë, kemi interpetuar rolin e viktimës, rolin e të padrejtësuarit dhe rolin e të dëmtuarit, sa për ta mobilizuar opinionin për “rrezikun që po i kanoset islamit në vend”, e me këtë, në fakt, për t’i kamufluar dështimet personale!
A ka Bashkësia Fetare Islame rregullore të veçantë për sa i përket situatave të jashtëzakonshme! Si duhet të sillet, si duhet të funksionojë, cilat plus veprime mund të ndermerren, cili duhet të jetë fondi rezerv i paprekshëm dedikuar ekskluzivisht situatave emergjente e të jashtëzakonshme! Si do të dukeshin zërat e këtij fondi, të këtij buxheti emergjent? Cilat duhet të jenë detyrat e nëpunësve të BFI-së, si do të organizohen, në ç’kufinj e në ç’nivele do të organizojnë aktivitetet dhe jetën fetare! Për shembull, cili është plani i veprimit të BFI-së në raste si kjo e virusit Korona (Covid19)? Feja nuk është administratë! Është shumë lehtë t’i përkrahim masat e jashtëzakonshme të institucioneve shtetërore dhe, o burra, të gjithë mbyllur dhe të bëjmë kokrrën e sefasë! Ata që funksionojnë me një mentalitet gjysëmanalfabet, do ta pranojnë një pasivitet total, duke ia atribuar fajësinë shtetit për dështime eventuale! Organizimi shpirtëror i besimtarëve ngelë detyrë, obligim dhe kompetencë e institucioneve fetare!
Çka do të duhej të vepronte, si do të duhej të organizohej BFI-ja në të tilla situata, si kjo e sotshmja? Falë Zotit, në tërë vendin janë me dhjetra shtëpi televizive private, lokale e nacionale! Shyqyr Zotit janë mundësitë ideale për të depërtuar në çdo shtëpi përmes internetit, gjegjësisht, përmes rrjeteve sociale! Sot, bota po organizon mësim online, po funksionon sistemi arsimor prej shtëpie në shtëpi, prej dhome në dhomë! Shkollat janë mbyllur! Pse nuk kërkohet një kanal televiziv e cila do të jenë në shërbim të plotë të BFI-së (edhe bashkësitë e tjera fetare, supozojmë, se do të kishin kanalet e veta televizive) dhe, natë e ditë BFI-ja ta mbane të gjallë e të fortë frymën fetare islame të çdo myslimani në vend; t’i drejtohej me mesazhe, me këshilla e sugjerime, me ligjerata e interpretime të mësimeve islame lidhur me situata të jashtëzkonshme; pse nuk e bën më të voglën përpjekje që ta ruajë komunitetin e vet nga përpjekjet e “viruseve” të ndryshme për të depërtuar në organizimin e këtij komuniteti dhe për ta dëmtuar atë, sado pak, pasojat e së cilës nesër do të ishin shumë më të rënda? Pse nuk funksionon online FSHI dhe Medresja, ngjashëm si fakultetet dhe shkollat e tjera. Jeta humane do të duhet të praktikohet sa më e decentralizuar! Nuk është humanizëm ai aktivitet që bëhet dhe që dirigjohet nga “pushteti qendror”, sepse deri sa të shtrihet në bazë, në kushte të jashtëzakonshme, njeriu vdes për një pikë ujë! Kjo i bie që, nuk ka namaz pa u dëgjuar ezani nga altoparlantet e BFI-së në Çairska 52.
Humaniteti duhet të kalitet, të ushtrohet i pavarur dhe të zhvillohet në çdo myftini, në çdo mexhlis xhemati, në çdo mexhlis xhamie dhe jo, të ndjehet ky aktivitet vetëm kur të hidhet hapi nga Çairska 52!
Medresja është mbyllur tani! Medresja “Isa Beu” ka një konvikt për nxënësit e vet, të cilët aktualisht janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre! Ky konvikt, jo fort larg, ka shërbyer edhe për xhudistët e mbarë vendit dhe nga ata ndërkombëtarë (jomyslimanë) që kanë zhvilluar gara të ndryshme! Pse sot, kur po kalojmë çaste tronditëse globale, nuk adaptohet urgjentisht ky konvikt në objekt karantinimi apo izolimi, sepse, meqë vendbanimet myslimane anekënd vendit janë shumë të dendura me popullatë dhe, me këtë edhe të përshtatshme për përhapjen e Covid 19, mund të ndodhë që të infektohen edhe nëpunës fetarë, imamlerë, profesorë, nxënës dhe, pse mos ta kenë një objekt të vetin karantinimi!
Restorani i Medresesë nuk punon, ndërsa ushqimi dedikuar këtij restoranti, mishi i kurbanëve dedikuar këtij institucioni arsimor, mund edhe të prishet, të arrijë datën e skadencës! Pse Bashkësia Fetare Islame mos të ndërmarrë aksion që pjesë nga ky ushqim t’ua dedikojë qendrave për karantinim të të izoluarve, apo edhe, natyrisht, t’ua shërbejë atyreve që do të karantinoheshin në këtë konvikt! Vetëm me mishin e kurbanëve të vitit 2019, nëse janë therrur të gjitha e të ngrira nëpër dhoma-frigorifer, plotë një vit do të mund të furnizoheshin të gjitha guzhinat e qendrave për karantinim në vend.
Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë situatë, e cila na paska rënë mbi kokë dhe sot po u bëkemi kaq të mençur. Situata të ndryshme mund të na përballë jeta! Vërshima katastrofale, tërmete të ndryshme, luftëra e fenomene të papritura! Pra, a duhet të ketë BFI-ja (si dhe bashkësitë e tjera fetare) një rregullore të veçantë për të vepruar ndryshe në situata emergjente! Çka do të ndodhte nëse katër-pesë qytete më të mëdha të vendit, kryesisht me myslimanë, do të izoloheshin totalisht, si brenda kufijve lokalë, ashtu edhe brenda kufijve të shtëpive? Do të ndërpritej rryma, interneti, informacioni! Si i ka mësuar BFI-ja organet e veta që të funksionojnë në të tilla situata?!
Natyrisht, e gjithë kjo dikujt mund t’i duket utopi, mund t’i duket ëndërra në ditë me diell, diçka absolutisht e pamundshme! Kështu do të mendonin vetëm të paditurit dhe ata që tashmë janë të konsumuar nga puna të cilës i qasen me dilentantizëm, me paaftësi dhe injorancë të skajshme. Dhe, me të tillët duhet të kalojmë në ditën e nesërme, pas Covid 19, kur na pret një botë e formësuar krejtësisht ndryshe.
Allahu Mëshirëplotë thotë: “Ata që bëjnë vepra të këqija, do të dënohen vetëm sipas veprave të bëra; ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim” (El Gafir, 40).
Zotin e Gjithëdishëm e paçim në ndihmë!
Amin!

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply