Për të folur mbi ecurinë e kësaj reforme u ulën sot në Tiranë, një një tryezë publike, zëvendëskryeministrja, Senida Mesi e cila kryeson këtë reformë, ministri për Ekonominë dhe Financat, Arben Ahmetaj, ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato si dhe përfaqësues të sipërmarrjes në vend.
Zëvendëskryeministrja Mesi tha se reforma e shërbimeve publike dhe ecuria e procesit të derregullimit që nënkupton shkurtimin e licencave, lejeve, autorizimeve e dokumenteve është një ndër mekanizmat më të mirë për të goditur korrupsionin.
Kjo reformë, vuri në dukje ajo, vendos zyrat e sportelet e shtetit në funksion të qytetarëve.
“Dixhitalizimi dhe standardizimi i informacionit është shumë i rëndësishëm. Sot portali e-albania numëron mbi 300 mijë përdorues dhe ofron mbi 500 shërbime. Fokusi ynë do të jetë lehtësimi i barrës për ju për dokumentacione, leje, licenca e autorizime”, u shpreh zv/kryeministrja Mesi.
Sepse, e vijoi fjalën ajo, qëllimi ynë është që sipërmarrja të rritet, të investojë dhe të punësojë më tepër qytetarë.
Për këtë, vuri në dukje Mesi, qeveria duhet të marrë barrën e burokracive dhe gjenerimin e letrave e dokumentacioneve.
Mesi po ashtu, informoi se po ndryshon metodologjia e dhënies së disa lejeve dhe licencave duke e deleguar këtë shërbim tek Dhomat e Tregtisë, institutet, fakultetet apo edhe organizma të tjera.
“Ministritë duhet të jenë aty për politika dhe strategji, ndërsa disa shërbime që mund të vet rregullohen do tu delegohen organizmave të tjerë”, informoi Mesi.
Zëvendëskryeministrja bëri të ditur se nga 364 leje licenca e autorizime synojmë të reduktojmë gjysmën e tyre.
Eleminuam kontaktin me doganierin
Ministri Ahmetaj në fjalën e tij ridrejtoi ftesën ndaj sipërmarrjes për dhënien e sugjerimeve për përmirësimin e shërbimeve ndaj biznesit.
Më tej, ai foli edhe për qendrën e vlerësimit për deklaratat doganore të importuesve, shërbim ky që prej dy ditësh ka nisur të ofrohet në mënyrë elektronike. “Më në fund standardizohet trajtimi në të gjithë Shqipërinë të një malli brenda listës së nomenklaturës në një kohë kur në 27 vite ka pasur momente kur i njëjti mall është trajtuar në dogana të ndryshme në mënyra të ndryshme”, deklaroi ministri.
Kjo, tha ministri, eliminon kontaktin e importuesit me doganierin duke hequr çdo mundësi për korrupsion. Vendosja e kësaj qendre bën të mundur që një procesim i një deklarate të bëhet në 20 minuta.
Ky shërbim, sipas Ahmetajt, do të ofrohet në mesin e muajit prill edhe për eksportuesit. “Kjo do të bëjë të mundur që të ketë shërbime eksporti 24 orë”, theksoi Ahmetaj.
Ndërsa hapi i tretë që pritet të nisë në muajin gusht, informoi ministri, është gjurmimi i plotë i trafikut komercial që do ti vlejë sipërmarrjes, doganave dhe do të ulë çdo pikëpyetje në ambientin ekonomik midis sipërmarrjes e doganave.
Pajisja me leje apo licenca, barrën e provës e merr vet shteti
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato shpjegoi edhe përfitimet që do të ketë sipërmarrja nga reforma e derregullimit që po ndërmerret nga qeveria.
“Prezanca e zyrë së ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është garanci e shtuar ndaj sipërmarrjes. Por për të realizuar këtë reformë nevojitet kontributi juaj, për shkakun e vetëm se ju do të monitoroni produktin e saj. Ndaj kontributi juaj duhet të jetë i detajuar, serioz dhe duhet të ketë efekte të drejtpërdrejta në përmirësimin e këtyre procedurave”, tha Qato.
Qato tha se duam t’i japim rëndësi edhe faktit se si përfitohen ato leje, licenca dhe autorizime që do të mbeten në fuqi.
“Nëse deri sot procesohet duke i lënë sipërmarrësit barrën e provës deri në ekzekutimin e lejes apo licencës, proces i cili zgjat në rastin më të mirë 6 muaj po shkon deri në 2 vite,tanimë i gjithë vullneti i qeverisë është që barrën e provës për çdo aplikim tuajin të jetë e vet administratës. Do të thotë që nëse një qytetari kërkon të pajisjet me një leje për ushtrim të një aktiviteti, është zyra e qeverisë e cila do të marrë masat nëse kjo leje plotëson kushtet tekniko-ligjore dhe kryen gjithë komunikimin e korrespondencën me institucionet e tjera, derisa dosja juaj të kthehet në titull ekzekutiv për t’u implementuar në procesin ekonomik ku ju doni të operoni”, u shpreh Qato.