Italia paralajmëron ashpërsim të masave në rajone
Nga kjo e Hënë, në gjithë Gjermaninë nisin të zbatohen masat e reja të karantinës së pjesshme. Ambientet e bareve, restoranteve, palestrave, teatrove, etj, do të qëndrojnë të mbyllura për 1 muaj. Hapur janë vetëm shkollat, spitalet dhe kategoritë e tjera të biznesit, punonjësit e të cilave nuk mund të punojnë nga shtëpitë. Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje njerëzve të reduktojnë sa më shumë kontaktet sociale, në mënyrë që Krishtlindjet të mos e gjejnë vendin në karantinë të plotë.
Kryeministri italian Xhuzepe Konte shpalosi këtë të Hënë para parlamentit, paketën e ashpërsimit të masave kundër përhapjes së Covid-19. Paketa parashikon zgjerimin e afatit të shtetrrethimit në gjithë vendin, duke nisur nga ora 9 e darkës, nga mesnata që ishte deri më tani. Parashikohet funksionimi me jo më shumë se 50% të kapacitetit të mjeteve të transportit publik, mbylljen në fundjavë të qendrave tregtare, mbylljen e plotë të muzeve, etj.
Nga e Enjtja, edhe Britania e Madhe do të nisë zbatimin e karantinës një mujore kombëtare. Kryeministri Boris Xhonson do të prezantojë në Parlament për miratim këto ditë planin e ri të masave.
Këto vende ndjekin shembullin e Francës që nisi zbatimin e karantinës kombëtare që në ditët e fundit të Tetorit, teksa shifra e infektimeve në të gjithë kontinentin është ndër më të lartat që prej nisjes së pandemisë.