Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është përplasur me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, gjatë samitit Brdo-Brioni, që u mbajt në Budvë të Malit të Zi, ku ishin të pranishëm të gjithë presidentët e rajonit.
Pas fjalimit të Presidentes Jahjaga në tryezën e presidentëve, ku Kosova ishte trajtuar e barabartë me shtetet e tjera, Presidenti serb Nikoliç ka marrë fjalën, duke thënë se Kosova nuk duhet të trajtohet si shtet, ashtu sikurse Jahjaga nuk duhet të flasë si Presidente.
Këshilltarja e lartë politike e Presidentes Jahjaga, Gerantina Kraja, e cila ndodhet në Budvë, ka treguar përmes telefonit për Top Channel se, reagimet dhe provokimet e Presidentit serb kanë ardhur pasi ai ka parë trajtimin dinjitoz, që po i bëhet Kosovës në të gjitha tryezat.
Kraja tha se Nikoliç, gjatë retorikës së tij në tryezë ishte paradoksal, duke u përpjekur të hedhë akuza të pabaza ndaj Kosovës, madje duke akuzuar shtetin kosovar edhe për ngjarjet e fundit në Kumanovë.
Por, sipas Krajës, Pesidentja kosovare ka sqaruar më pas Nikoliçin dhe të gjithë të pranishmit, se ajo dhe homologu i saj nga Maqedonia kanë diskutuar për këtë çështje, duke shprehur pozicionin e Republikës së Kosovës rreth zhvillimeve në Maqedoni dhe bashkëpunimin ndërshtetëror mes dy vendeve në fushën e sigurisë, për të ndihmuar me procesin e hetimeve.
Gjatë kundërpërgjigjes së drejtpërdrejtë ndaj Nikoliçit, Presidentja e Kosovës e ka sqaruar atë se, një shtetas i tij është kapur me disa kilogramë eksploziv në Prishtinë, gjatë përpjekjes për të kryer akte terroriste.
Sipas Krajës, Jahjaga u ka kujtuar të pranishmëve rastin e qytetarit të Serbisë, që është arrestuar për posedim të 14 kilogramë eksplozivi ushtarak, në prag të festave të fundvitit të kaluar, në qendër të Prishtinës.
Jahjaga ka folur për dështimin e Republikës së Serbisë për të sqaruar incidentin, apo për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës.
Duket se ky debat është mbyllur me ndërhyrjen e Presidentit mikpritës të Malit të Zi, i cili siç raportohet, pas replikës së Presidentes Jahjaga nuk e ka lejuar më vazhdimin e debatit, pasi edhe samiti ishte drejt përfundimit.