Kryebashibuzuku i BFI-së

Këta të Bashkësisë Fetare Islame në RMV a dinë të punojnë me Kushtetutën e këtij Institucioni, a dinë ta lexojnë dhe a e kuptojnë këtë akt më të lartë juridik në të cilën thirren për çdo ditë, apo e interpretojnë sipas dëshirave dhe nevojave të honxho-bonxhove. Dikush duhet t’i thotë STOP anarkisë totale në BFI që u shfaq me instalimin politik të Shaqir Fetait në krye të këtij Institucioni

Nga Mr. Eset Shaqiri

Këto ditë shpërtheu në BFI-në e Shaqir Fetait. Dymbëdhjetë (12) anëtarë të “rijasetit” i shprehën mosbesim Shaqir Fetait, i cili, po atë ditë, “i ruajtur dhe i siguruar” nga policë dhe njësiti special, nga ora 01 e deri në ora 04 e mëngjesit, mbajti mbledhjen urgjente duke iu kërcënuar dhe duke ua kërkuar nën kërcënime përkrahjen aëtarëve të tjerë të Rijasetit, kurse ndaj “organizatorëve” mori masa duke i shkarkuar “me automatizëm” nga Rijaseti dhe duke i sistemuar degradueshëm nëpër vende të reja të punës të papërshtatshme sipas përgatitjes akademike dhe profesionale.
Shaqir Fetai thotë se nuk ishte “puç”, ndërsa atë që e bëri fiks para tri viteve kundër H. Sulejman ef. Rexhepit – çka ishte ajo? MPB prononcohet se nuk dinë gjë dhe se nuk kanë pasur kërkesë për asistencë policore në atë “mbledhje urgjente” për ta ruajtur kolltukun e Shaqir Fetait, ndërsa oborri i BFI-së, përreth dhe brenda saj, ka qenë “full” me “sigurimsa” (ekzistojnë edhe fotografitë dhe incizimet)! Shtrohet pyetja: të kujt ishin këta policë: të shtetit apo të Shaqir Fetait që i ka angazhuar privatisht. Çdo angazhim paguhet ose me para ose me kundërshërbim! Si do ta paguajë Shaqir Fetai këtë asistencë policore?
Shaqir Fetai paska thënë se “Kushtetuta është një copë letër”! Këtë e dëshmon “punëtori” Prof. Jusuf Zymeri, i cili deri më sot në BFI ka qenë DREJTOR i sektorit për arsim dhe çështje fetare në BFI!
Pra, çka thotë Kushtetuta e BFI-së, kjo farë “copë letre” sipas Shaqir Fetait? A di ta lexojë ky farë punëtori i thjeshë i BFI-së këtë Kushtetutë apo, e lexon ashtu siç i vie lezet atij! Për ndërrimin e vendit të punës dhe për shkarkimin e anëtarit të “rijasetit”, Shaqir Fetai thirret në nenin 43 dhe sjell këtë vendim, me këtë përmbajtje: Në bazë të nenit 43 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema i BFI sjell këtë VENDIM… Në arsyetimin e këtij vendimi që nuk është asgjë tjetër përveçse një paçavurë toaleti, thotë: “Reisul Ulma i BFI-së, në përputhje me kompetencat dhe autorizimin e tij, vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi”!

Çka thotë neni 43 dhe ai 44 i Kushtetutës së BFI?

Që t’ju dëshmojmë se punëtorët aktual të Shaqir Fetait, të cilët nuk marrin erë nga administrata, nuk e kuptojnë dhe nuk dinë të lexojnë dispozitivë, akte juridike, rregullore, statute, kushtetutë, madje as parimet elementare islame, duke shkaktuar plotë fallcitete, më poshtë po ua sjellim në tërësi nenin 43 të kësaj Kushtetute:

“Neni 43
Rijaseti i BFI-së zgjedh Këshill të posaçëm për dorëzimin e Menshurës.”
Ndërsa një nen më poshtë, ai 44, (në të cilën dëshirojnë të thirren punëtorët bilmeza të Shaqir Fetait), thotë:

Reisul -Ulema:

• përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
• jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
• emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
• organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
• konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
• ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
• nënshkruan aktet e Rijasetit;
• nënshkruan aktet për punësim në BFI;
• ndan shpërblime për të arritura të veçanta në avansimin e jetës fetare;
• viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avansimin e jetës fetare;
• lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikqyrje të Rijasetit;
• ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njejtat janë kundërshtim me ligjin dhe parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
• dekreton vendimet e marrura nga Rijaseti i BFI-së.

Kurse Neni që flet për kompetencat e Rijasetit, pra jo të Reisit, mes tjerash thotë:

  • emëron, ndërron dhe shkarkon anëtarët e Rijasetit.

Sharlatantizmi i Shaqir Fetait

Prej nga ky gyxim i Shaqir Fetait që të tallet me aktet normative të BFI-së? Pse Shaqir Fetai i lexon ato sipas dëshirës së tij. Apo, këtu nuk kemi të bëjmë me dëshirë por me “forcë”! Ku e merr Shaqir Fetai tërë këtë forcë për ta bërë “copë letër” të thjeshtë Kushtetutën? Kush po i rri mbrapa, kush po e siguron derisa ky të bëjë harakiri me Kushtetutën!
Pra, sipas këtij neni dhe, përgjithësisht, sipas Kushtetutës së BFI-së, reisi nuk sjell vendime, reisi i nënshkruan aktet e Rijasetit, apo, nënshkruan vendimet e marrura nga Rijaseti i BFI-së! A e solli “rijaseti” i Shaqir Fetait një vendim të tillë? Nëse e solli, pse fshihet mbledhja në të cilën u sollën “këto vendime”! Pse Shaqir Fetai mohon se ka pasur ndonjë mbledhje të “rijasetit” të vet! Si guxon Shaqir Fetai të sillet si një autokrat klasik dhe, nga kush e mori ai këtë guxim, madje të flasë edhe fjalë të rënda, fyese dhe të pista kundër “12 apostujve të Jezu Krishtit” (siç po i quan Shaqir Fetai “rrebelët”) të cilët nënshkruan mosbesim kundër tij! A mund të vlejnë vendimet e një “organi kolektiv” fetar kur aty të mungojnë 12 anëtarë të përjashtuar të organit? Shaqir Fetai “mburret” duke thënë se nuk e kontrollon vetëm një xhami, ndërsa doli puna që ai nuk i kontrollon 12 anëtarët e “rijasetit” të vet!
Vendimet e Shaqir Fetait janë nul (zero), sepse ai nuk guxon t’ia marrë kompetencat organit kolektiv. Në një rast të tillë, Shaqir Fetai dëshmon se është njeri shumë i rrezikshëm dhe automatikisht duhet të refuzohet madje edhe si hoxhë e jo vetëm si ndonjë funksionar i BFI-së! Të manipulojë, të sillet si autokrat, si diktator, të shkelë Kushtetutë duke emërtuar anëtarë Rijaseti vetëm sa për të siguruar kuorum në “rijasetin” e vet, ndërkohë që nuk i njeh aktet normative, kjo mjaftueshëm dëshmon për një njeri i cili tërësisht e ka humbur rrugën në oborr, duke u munduar që ta interpretojë dështueshëm një mafioz të pistë!

P.s.
Ish-reisul ulema i BFI-së, kur e përjetoi tradhëtinë e madhe, i zhgënjyer dha dorëheqje! Ai edhe pse kushtetutshmërisht mund t’i shpallte vendimet e puçistëve si “zero vendime”, ai megjithatë, i zhgënjyer nga bashkëpunëtorët e vet, nga ata në të cilët kishte plotë besim, ndjeu detyrim moral që të japë dorëheqje. Këtë moral nuk e ka Shaqir Fetai, ai ka “moral” që të ngritet mbi Kushtetutën dhe të shpërndajë rrena, mjegull dhe “vlera” inegzistente në BFI-në aktuale. Shaqir Fetai ka ardhur me mision: ta devalvojë jetën fetare islame, ta shkatërrojë BFI-në duke e shndërruar atë në filiale të thjeshtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme! Shaqir Fetai një orë e më parë duhet të tërhiqet dhe të lëngojë i izoluar në shtratin e tij të pabesisë, të tradhëtisë dhe të mosbesimit! Këtë virus shkatërrimtar nuk guxon ta përhapë edhe më tej!

(Autori është anëtar i Këshillit për mbrojtjen e kushtetutshmërisë pranë Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)

Leave a Reply