Kujtesa kombëtare

Në çka bazohet kujtesa kombëtare? Natyrisht, mbi të gjitha, në bibliotekat nacionale! Derisa nëpër bibliotekat kombëtare në Shqipëri ekziston një fond i pasur i dorëshkrimeve, materialeve të vjetra, librave, periodikut të rrallë e të vjetër, hartave, foto-dokumenteve, mikrofilmave, i punimeve nga magjistratura, doktoratura, materialit muzeal etj., bibliotekat e Kosovës së pasluftës dolën me një mungesë të madhe të këtyre materialeve. Okupatori serb shkatërroi e dogji sa mundi! Flitet se u zhdukën mbi 100 mijë tituj e qindra mijëra dokumente të tjera nga fondi i “kujtesës së kombit”! Nëse nuk është spekulim, nëse nuk është ves kombëtar që pas tragjedisë të merremi me vajtime e përçyrrje, deri më sot është dashur që institucionet kompetente kombëtare të dilnin me ndonjë BIBLIOGRAFI të librave dhe materialeve të zhdukur nga okupatori serb! Sa kanë të drejtë shqiptarët që të vajtojnë për këtë gjest të pamohueshëm barbar të serbëve, po aq “kanë të drejtë” serbët ta mohojnë këtë duke e cilësuar shqetësimin tonë kombëtar si “aktrim shqiptar”! Në Kosovë edhe më tej mungon një “invetarizim” i materialit të djegur e të zhdukur nga okupatori serb para dhe gjatë tërheqjes nga Kosova.
Shteti amë, por edhe Kosova, duhet ta ndjejnë momentin aktual si emergjencë kombëtare që sa më parë të nisin me themelimin e Institucionit Kombëtar: “Muzeu i trashëgimisë së shkruar shqiptare”, ku do të “magazinoheshin” nga një ekzemplar fizik apo elektronik i çdo letre, i çdo dokumenti, i çdo libri të botuar nga shqiptarët dhe për shqiptarët!
Po kaq emergjente është edhe ndërgjegjësimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i intelektualëve, i profesorëve, i katedrave dhe fakulteteve gjegjëse, i studiuesve të rinj që sa më parë të nisin me hulumtimin e fondit të librit dhe të çdo gjëje të shkruar në gjuhën shqipe (apo edhe osmane) që gjendet nëpër bibliotekat që funksionojnë në këtë shtet! Akoma nuk dihet se cili është ky fond në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare në Shkup, as në Tetovë, as në bibliotekat e fakulteteve e as në ato lokale e private! Nuk kemi asnjë botim të tipit Bibliografia e librit shqip në Bibliotekën “Klimenti i Ohrit”, siç nuk kemi as bibliografi të librit në Bibliotekën e Tetovës. Nuk ekziston asnjë publikim që flet mbi periodizimin e librit, të periodikut e as të foto-dokumenteve të tjera në gjuhën shqipe. Partitë shqiptare në Maqedoni mburren me emërtimet e “funksionarëve” shqiptarë nëpër dikastere e institucione kulturore, ndërkohë që nuk kanë idenë dhe rolin kombëtar për të iniciuar dhe kryer projekte kaq jetike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut librat, si ekzemplarë të detyrueshëm, “magazinohen” në Bibliotekën amë të “Klimentit të Ohrit” në Shkup si dhe në atë të Manastirit dhe Shtipit! Le të iniciohet një “inspektim studiues”, intelektual e shkencor dhe le të shihet se cili është pozita dhe interesimi shtetëror ndaj letrave shqipe! Është punë studiuese, pra e magjistraturave dhe doktoraturave! Një kontribut i tillë shkencor do ta ndihmonte tej mase edhe themelimin eventual të Muzeut të trashëgimisë së shkruar shqip! Në ndërkohë, nga pasuria e shkrimit shqip do të eliminoheshin te gjitha pseudoshkrimet, pseudoveprat, plagjiaturat dhe kompilimet.
Bibliotekat, muzetë e trashëgimisë bibliotekare dhe arkivat kombëtare duhet të jenë në bashkëpunim të ngushtë, të domosdoshëm dhe të sanksionueshëm me ligj! Sikur Kosova të shfrytëzonte periudhën e demokratizimit të Shqipërisë dhe të niste nga një ekzemplar qoftë fizik apo digjital të tërë pasurisë së vet të shkruar, sot vetëm do të raportonte për aktet barbare serbe kundër fjalës së shkruar në gjuhën shqipe dhe nuk do të vajtonte për materialin që mungon si pasojë e djegies dhe shkatërrimit të okupatorit serb. Pas ndërtimit të Bibliotekës kombëtare në Tetovë do të ishte mirë të mendohet që botimet shqip të ishin të detyrueshme të bëhen pjesë e fondeve të tri bibliotekave kombëtare, të Tiranës, Prishtinës, Tetovës! Një “bibliotekë kombëtare” paskësh filluar të funksionojë edhe në Komunën e Çairit! Pse jo, të përfshihet edhe kjo bibliotekë nacionale e shqiptarëve të Shkupit, si “magaze” e vlerave të mirëfillta të letrave shqipe! /HEJZA/

Leave a Reply