Letër nga Shkupi / REGJISORI I KYÇUR NË HARRIM

Ahmet Jakupi është regjisor (nga ata regjisorët profesionistë të parë shqiptar) i cili në teatër ka lënë gjurmë të pashlyeshme, ka ngritur vepra e vepra teatrale që mbajnë fuqishëm firmën dhe vulën e tij.
Ahmet Jakupi ka bërë regjinë e një sërë veprash të autorëve shqiptarë dhe të huaj! Me një përkushtim dhe pedanteri aristokrate në punën e vet, gjithnjë është llogaritur si inovatorë, avangardë e regjisë shqiptare.
Ahmet Jakupi pati fatin që të punojë ekskluzivisht në kohën e monizmit, në kohën e censurës diktatoriale, në kohën kur për një gjetje regjisoriale që nuk i shkonte për shtati sistemit, të shkonte koka! Ishte improvizues i guximshëm, sidomos në komedi, kishte një gjuhë të stërholluar sarkastike, por edhe guximin për t’i dhënë shfaqjes rrjedhën kah aktualiteti komunist që si digë e fuqishme i rrinte karshi çdo vepre artistike.
Ahmet Jakupi, kur ishte regjisor i Teatrit Shqiptar të Shkupit (në kohën e vet “Teatër i Nacionaliteteve”) trupa teatrale shqiptare ishte ndër më të mirat dhe më avangardat në ish-Jugosllavi! Shquhej për njohuritë e tij të thella mbi shkollat e teatrit (Stansillaviskit, Brehtit etj.) por dhe po aq njohës i traditës dhe vlerave të thesarit kulturor shqiptar. Me përgatitje profesionale si asnjë në kohën e tij, çdo regji i vlerësohej si kryevepër ! Është hapësirë e vogël në këtë “palimpsest” për t’i radhitur të gjitha kryeveprat e Ahmet Jakupit që tashmë janë kyçur në harrim, ndonëse ky personalitet dhe veprimtaria e tij është për studim disertacionesh!
Ahmet Jakupin sot mund ta kundrojmë si fenomen me dy tehe: si regjisor i padiskutueshëm që me punën e vet ka kontribuar në ngritjen e një trupe teatrale shqiptare ndër më të mirat në hapësirat ballkanike dhe jo vetëm, si dhe, si regjisor që poshtërisht e ka përjetuar fyerjen, nëpërkëmbjen, injorimin, kyçjen në harrim nga gjeneratat e reja, të cilët, të dalldisur pas famës që kurrë nuk e arritën (të paktën jo atë që e kishte dikur Ahmet Jakupi) i injorojnë të vjetrit duke vrapuar pas “modernes”, regjisorëve që sapo kanë dalë nga bangat fakultative.
Ahmet Jakupi ka vite që nuk është angazhuar!
Ahmet Jakupin nuk e fton teatri i vet që i dha vulë e emër, teatri i cili me fondin regjisorial të Ahmet Jakupit sot ka të drejtën të quhet Teatri Shqiptar në Shkup!
Ahmet Jakupi nuk ftohet nga teatri i vet as për të përcjellë ndonjë shfaqje, sepse, pa dyshim, i druhen, është njohës i hollë i regjisë, i aktrimit dhe i teksteve; njohës i kulturave të autorëve, të shteteve e të popujve të tyre prej nga vijnë!
Ahmet Jakupi sot injorohet, përbuzet, i mbyllë sytë trishtueshëm para talljeve që ia bëjnë në sy, por edhe pas shpine ata që së bashku nuk kanë vite sa ka vepra regjisoriale maestro Jakupi! Që kur doli në pension, Ahmet Jakupit “iu ndalua” të prekë dërrasat e skenës së Teatrit ku derdhi gjakë e djersë gati gjysëm shekulli!
Kush e mallkoi Ahmet Jakupin nëse jo sistemi komunist sllav, i cili kurrë nuk do të dëshironte që të shikonte rritën e pandalshme të një trupe teatrale shqiptare që po bëhej konkurrent i trupave teatrale evropiane. Mos po e ndjek ky mallkim edhe sot e kësaj dite! Mos gjeneratat e reja po e ujisin këtë mallkim komunist mbi Ahmet Jakupin dhe mbi Teatrin e sotshëm, i cili assesi nuk po ia del që të ketë një shfaqje me nja 3-4 përsëritje! Shfaqjet e Ahmet Jakupit janë të paarritshme për nga numri i përsëritjeve. Ka shfaqje me mbi 150 përsëritje! E kush nuk do ta mallkonte maestron e padiskutueshëm, të madhin Ahmet Jakupi, që edhe në pleqërinë e vet të shtyrë gjen forcë për t’u ngjitur nëpër skenat e “teatrove provincialë”! Ahmet Jakupi kurrë në jetën e vet nuk i bëri askujt keq. E mira e tij, “nxënësit” e tij tashmë e kanë “konservuar” dhe kyçur në harrim! Të mëdhenjtë përkujtohen për së gjalli e përjetë, pavarësisht djallëzive të fiçfiriçëve! /HEJZA/

Leave a Reply