Gjithmonë e më shumë ekspertët ushtarakë po shprehen se lufta e tretë botërore mund të nisë nga Azia, dhe bazat për të tilla pretendime, nuk mungojnë.
Pika më e nxehtë mbetet Tajvani; provokimet e Pekinit ndaj ishullit të pabindur, sa vjen e bëhen më të forta. Autoritete tajvaneze pohuan së fundi se ka pasur një incursion të madh avionësh bombardues kinezë të dielën.
Ministria tajvaneze e mbrojtjes njoftoi se 19 avionë, një pjesë e të cilëve të aftë të mbanin bomba me aftësi bërthamore, hynë në të ashtuquajturën zonë identifikimi të mbrojtjes ajrore (ADIZ). Taipei është ankuar për më shumë se një vit për misionet e përsëritura të forcave ajrore të Kinës pranë ishullit. Kina e sheh Tajvanin demokratik si një provincë të shkëputur të saj, ndërsa Tajvani e konsideron veten shtet sovran. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha detaje nga misioni i fundit i forcave ajrore kineze, duke sqaruar se ai përfshiu katër bombardues H-6 të cilët mund të mbajnë armë bërthamore si dhe një avion anti-nëndetës.
Ajo nxorri dhe një hartë që tregonte rrugën e fluturimit në verilindje të Pratas, ndërsa shtoi se menjëherë sistemet vendase të raketave dhe avionët luftarak u vunë në gadishmëri për reagim. Kina ende nuk e ka komentuar zyrtarisht incidentin. Pekini ka nisur shpesh misione të tilla për të shprehur pakënaqësinë ndaj deklaratave te Tajvanit. Në qershor, ajo dërgoi 18 avionë ushtarakë në të njëjtën zonë, e ky ishte inkursioni më i madh deri tani, në raportimet e fundit.
Javën e kaluar ministria tajvaneze e mbrojtjes e pranoi se forcat e armatosura të Kinës mund ta “paralizojnë” mbrojtjen e Tajvanit dhe paralajmëroi se kërcënimi kinez po rritet.