Dy muaj nga fillimi i vitit shkollor në Maqedoni, në disa shkolla fillore dhe të mesme mësimi zhvillohet pa libra. Ky problem është më i pranishëm te shkollat në gjuhën shqipe në Shkup. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë akuzon Ministrinë e Arsimit se, nuk ka siguruar tekste sa duhet për këto shkolla, ku numri i nxënësve rritet për çdo vit.
“Nuk ka logjikë të zhvillohet mësimi pa tekste shkollore. Ministria e Arsimit dhe qeveria duhet të bëjnë çmos, që tekstet të shtypen dhe të sigurohen për nxënësit. Kështu që, fajin asnjëherë nuk mund ta bartim te drejtorët, sepse faji është i shtetit”, tha Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.
Tekstet shkollore në Maqedoni shpërndahen falas nga qeveria. Fajin për mungesën e librave, ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi e hedh te drejtorët e shkollave. Këta të fundit, – sipas Ademit, – nuk respektojnë afatet dhe nuk paraqesin në kohë në dikasterin e drejtuar prej tij, numrin e saktë të teksteve që u mungojnë.
“Apeli im do të ishte, që këto nevoja dhe kërkesa të parashtrohen në kohë dhe në sasi të duhur, me qëllim që ministria të mund t’i kryejë detyrimet e veta”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.
Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit nuk tregojnë se, në sa shkolla mungojnë librat, ndërsa sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Arsimtarëve, vetëm në Shkup rreth 25% e nxënësve shqiptarë përballen me mungesën e teksteve. Ndërkaq, në ato tekste që u shpërndahen nxënësve, ende janë të pranishme gabimet e shumta dhe ofendimet ndaj shqiptarëve.