“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!…” (El Bekare, 185)
Nga Afrim Tahiri
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!
Keni gjithë të drejtën e Zotit që të jeni të lumtur, të gëzuar dhe plotë me shpresë, sepse, e dëshmuat Muajin e Ramazanit, agjëruat dhe e kaluat pranë Zotit përmes ibadeteve dhe lutjeve të pandashme. Paçit mëshirën dhe bekimin e Tij!
Në kuptimin e ngusht të fjalës, agjërim do të thotë abstenim nga kënaqësitë e rëndomta përgjatë një periudhe kohore që zgjatë nga syfyri e deri në iftar! Pra, është gabim nëse themi se agjërimi është heqje dorë nga plotësimi i nevojave ditore, nga kënaqësitë e ditës, si sakrificë për hirë të Krijuesit tonë! Janë edhe disa kënaqësi jo të rëndomta prej të cilave nuk guxojmë të heqim dorë deri në frymën e fundit! Agjërimi nuk ka kuptim nëse atë e bëjmë për kënaqësinë tonë, agjërimi nuk ka kuptim nëse nuk shoqërohet me kënaqësitë tona jo të rëndomta, përmes të cilave pa dyshim që do të jemi gjithnjë sa më pranë Allahut Mëshirëplotë. Këto kënaqësi jo të rëndomta duhet të jenë parime që do të na përcjellin, jo vetëm gjatë Muajit të Ramazanit, porse, gjatë tërë jetës sonë. Gjatë Muajit të Ramzanit, kur agjërojmë, ne kryejmë edhe ibadete të tjera, kur agjërojmë ne jemi larg të këqijave, kur agjërojmë mendojmë vetëm për vepra të mira, kur agjërojmë na shtohet dashuria për njëri-tjetrin, kur agjërojmë jemi më solidar, më humanistë, me plotë dhimbje në shpirt për të varfërin, për jetimin, për të sëmurin, për skamnorin, për njeriun që është në nevojë! A nuk janë këto parime që duhet një mysliman t’i ketë përgjatë tërë jetës së vet! Pra, Muaji i Ramazanit nuk duhet të dëshmohet vetëm në këtë muaj të vitit, por, gjithnjë, në çdo moment e në çdo kohë! Sepse, duke qenë në vijën e parimeve dhe vlerave të këtij Muaji, ne do të dijmë ta dallojmë të keqen, të ikim prej saj, t’i qasemi së mirës, vlerave, t’i qasemi dhe të veprojmë sipas porosive që Zoti nisi të na i dërgojë që në Muajin e Ramazanit.
Nuk kam dyshim se, individualisht, myslimanët tanë drejtohen nga këto parime të shenjta! Agjërojnë, kryejnë ibadete, luten, ndihmojnë, janë më solidar, më bujar, më të ndjeshëm ndaj kategorive që e kanë nevojë ndihmesën tonë. Janë po këta myslimanë që këto vlera i kultivojnë edhe përtej Muajit të Agjërimit. Por ama, institucionalisht, sa mund të jemi të kënaqur dhe të themi se jemi dhe po veprojmë në kuadër të këtyre parimeve të shenjta? Sa Institucioni ynë u angazhua që anëtarët e vet t’i mbajë në kuadër të këtyre vlerave, sa ishte pranë besimtarëve për t’ua përkujtuar këto vlera apo, prania e tyre u ndje vetëm në momentin kur menduan “tash është koha, të dalim në terren e t’ua vjelim taksat” (fitrin dhe zeqatin)!
Sa institucionalisht na u dëshmua se taksat e myslimanëve janë për të gjithë myslimanët! Çdo shoqëri e ngrit sistemin e taksave për të mirën e shoqërisë dhe jo për të mirën e atyreve që i mbledhin taksat, si dikur, në sistemet e bujkrobërisë!
Institucioni, me inciativat e veta humanitare, nisur nga parimet e solidaritetit, nuk ia doli që të jetë në krah qoftë vetëm të një myslimani të vendit! Po, teknikisht “ia doli” që t’i shpërndajë disa pako humanitare që ua kishin lënë amanet disa subjekte botërore humanitare! A shkuan te nevojtarët e vërtetë? Absolutisht që jo! Ose, Një Zot e di!
Institucionalisht, nuk u shtrua asnjë iftar i përbashkët me skamnorët e vendit, ndërsa fitri i skamnorëve tanë u shpenzua duke shtruar iftar për të pasurit, për ata që nuk e meritojnë iftarin dhe për ata që mund ta kenë haram çdo iftar!
Institucionalisht na gënjejnë se fitrin po e mbledhin për medresantët tanë ndërsa prej tyre turpërohen si prej veprave të këqia! A e ka parë dikush parinë fetare të shoqërojë grupe medresantësh nëpër aktivitete institucionale përgjatë Muajit të Rahmetit?!
Të dashur besimtarë, vëllezër e motra! Nesër kemi Fitër Bajramin, festën me të cilën e përcjellim Muajin e Agjërimit dhe çastin për t’ia përkujtuar vetes por edhe njëri-tjetrit që Ramazan ta kemi tërë jetën tonë; të jemi refuzues të përjetshëm të çdo vesi të cilin e refuzon agjërimi; të jemi bartës të parimeve dhe vlerave që na lartësojnë, që na përmbushin dhe që shtojnë kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë.
Le ta fillojmë duke manifestuar dashurinë tonë të sinqertë, shpirtin tonë solidar e human, si dhe bujarinë dhe fisnikërinë tonë ndaj të gjithë atyreve që janë në nevojë. Le të bëhemi prej atyreve që shtrojmë sofrën e çdo besimtari dhe mos të lejojmë të derdhet asnjë pikë loti duke u ndjerë të varfër e jetimë. Besimi ynë na obligon të jemi të dashur e solidarë me të gjithë.
Duke shprehur urimet e mia më të przemërta për Festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. që t’ua ketë pranuar agjërimin si dhe të gjitha ibadetet e kryera përgjatë Muajit të Ramazanit, lus të Madhin Zot që gjithnjë të jeni të bekuar dhe nën mëshirën e tij.
(Autori drejton Lëvizjen Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)