Letër nga Tetova
Përderisa në Shqipëri e Kosovë sado kudo vlerësohet letërsia, në Maqedoninë e Veriut (te shqiptarët), akoma nuk ka asnjë shenjë që do të dëshmonte për një vlerësim me dinjitet të letërsisë që krijohet në këtë nën-qiell të shqiptarëve.
Fatkeqësisht kurrë nuk pati asnjë përpjekje, qoftë edhe sipërfaqësore, që të krijohet një traditë për dhënien e çmimit vjetor për letërsi (poezi, prozë, dramë etj). Ndonëse figurojnë disa klube që organizojnë (një herë në vit) orë letrare, duke ndarë mirënjohje e diploma, megjithatë vlerësimi dinjitoz mungon.
Me të drejtë shtrohet pyetja: po kush duhet të jetë bartës i një aktiviteti të tillë: Shoqata e shkrimtarëve, Shoqata e botuesve (nëse funksionojnë) apo ndonjë subjekt tjetër? Ata që i njohin rrethanat, e kanë të qartë se një nismë e tillë vështirë se mund të realizohet, sepse edhe midisi komunitetit të shkrimtarëve ka përçarje të theksuara, sindrom ky që duket se nuk mund të shërohet.
Kjo përçarje ka bërë që të kemi shumë orë letrare, të cilat orë letrare i kanë edhe “shkrimtarët” e vet. Pikërisht ky fakt tregon për ndasitë e mëdha midis atyre që sot veten e konsiderojnë shkrimtarë.
Realisht, kësaj të keqe i ka kontribuuar edhe politika (shqiptarët që ishin e janë në pushtet), e cila në konkursin vjetor të ministrisë përkatëse, përmes anëtarëve të vet në komisionet vlerësuese, mban anën e “artistëve” partiakë, të cilët rrini të heshtur dhe për asgjë nuk u dëgjohet zëri.
Kjo ndasi është prezent gjithandej në organizime të ndryshme me karakter kulturor, në ekspozita, në shfaqje teatrale, në koncerte, ku qartë shihet se publiku përbëhet ekskluzivisht prej militantëve partiak dhe familjarëve të tyre.
Ndaj dhe në rrethana të këtilla është shumë e natyrshme mos të ketë një bosht, rreth të cilit do të tuboheshin të gjithë. Prandaj, vendimi për të pasur një çmim dinjitoz tradicional për letërsi, si një mirënjohje për shkrimtarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, edhe më tej do të ngelë vetëm si një ëndërr që nuk realizohet dot. Fatkeqësisht…/HEJZA/