Politikat e bibliotekave

Midis nesh

Bibliotekat si Shtëpi e Librit të vetmen politikë që duhet ta kenë është ruajtja e librit, tubimi i tij dhe me të të shërbehet qytetari. Ai që e vret librin, ai që e refuzon apo që e urren librin, sepse nuk i përket kulturës së tij, ky po që duhet të neutralizohet dhe të mbahet sa më larg prej librit!
Këto ditë mbarë opinioni botëror u trondit nga sulmet barbare të rusëve që i ndërmarrin në shumë qytete, ku përveç vrasjes së mijëra njerëzve, synim të tyre kanë shkatërrimin e çdo gjëje që i përket trashëgimisë kulturore të ukrainasve! Po shkatërrohen teatro, muze, biblioteka! Po digjen libra të botuara nga ukrainasit, po ndërrohen sinjalizimet rrugore, tabelat me toponime ukrainase e po zëvendësohen vetëm me emërtimet dhe me shkronjat ruse! A nuk është ky gjenocid kulturor ndaj një populli!
Pikërisht për veprimet e tilla gjenocidale, kohë më parë në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare të Shkupit ka qarkulluar një peticion i asociacionit evropian të bibliotekave për ta dëbuar Bibliotekën Nacionale Ruse nga ky asociacion! Natyrisht, Maqedonia e Veriut nuk e ka nënshkruar këtë peticion, sepse ndjek po atë linjë të akademikëve nacionalistë maqedonas, të cilët kohë më parë ngritën zërin kundër botës mbarë që po mbanë, aktualisht, një qëndrim refuzues ndaj vlerave kulturore ruse skajshmërisht të politizuara nga politikat gjenocidale të Putinit!
Ku ngeli këtu brenga dhe angazhimi për ruajtjen e diversitetit kulturor! Ku ngeli këtu brenga dhe respekti ndaj librit, pavarësisht se ku botohet dhe në ç’gjuhë botohet ai!
Neve, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duhet të na brengosë edhe qëndrimi dhe politikat diskriminuese që ndjehen në këtë Bibliotekë të Shkupit në raport me librin shqip! Nuk mund të konstatohet se bëhet fjalë për një urrejtje patologjike kundër librit shqip, por ama se ushtrohet heshtazi një politikë kundër librit shqip kjo vërehet ashiqare!
Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ekziston një dokument për bashkëpunim i nënshkruar në mes të dy ish-drejtorëve të bibliotekave respektive, Dr. Aurel Plasarit dhe Mile Boshevskit! Bashkëpunimi konsistonte kryesisht në këmbim të librave të botuara. Në të dyja Bibliotekat respektive funksionojnë sektorët për këmbim të librit dhe, duke këmbyer vazhdimisht lista me tituj librash që vijnë në biblioteka, bëhet porosia e titujve! Kush nga Biblioteka Shkupit i porositë librat shqip?
Ky sektor në Bibliotekën “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, drejtohet nga maqedonasit të cilët nuk kanë kurrfarë leverdie nga libri shqip, nuk e kuptojnë, nuk mund t’i deshifrojnë titujt, nuk i njohin autorët shqiptarë ndaj dhe nuk ka si të bëhet këmbimi i titujve! Sot, nëse bën një kërkim elektronik në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do të vërehet se aty janë të “arkivuar” libra të autorëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që janë të këmbyer në kohën e të dy ish-drejtorëve respektivë. Më pas heshtet gjithçka! Librat e botuar dhjetë viteve të fundit nuk gjenden në fondin e librit shqip në Bibliotekën Kombëtare, si dhe në rrugën institucionale nuk ka asnjë libër nga Shqipëria as në Bibliotekën e Shkupit!
Në kohën e globalizimit tërësisht duhet të shuhen botëkuptimet se bibliotekat janë strehë e librit të “shumicës nacionale”! Në biblioteka vendin e ka çdo libër që botohet në katër cepat e botës! Në Bibliotekat Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të gjejë vend çdo libër që botohen në gjuhën shqipe, siç duhet të gjejë vend edhe në Bibliotekën e Shkupit çdo libër shqip që botohet gjithandej në botë, sepse kjo është nevojë jetike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dhe duhet të jetë strategji kombëtare që librat të shpërndahen gjithandej nëpër bibliotekat e mundshme.
Një ditë, pa dyshim që do të rindërtohet edhe Biblioteka Nacionale e bombarduar në qytetin ukrainas të Çernihovit. Fondi i librave që ishte në atë Bibliotekë gjithsesi që do të riformohet, të paktën, në format elektronik, sepse është ruajtur nëpër bibliotekat e tjera falë pikërisht politikave nacionale ndaj librit që duhet të gjejë strehë në sa më shumë biblioteka nacionale.
Çdo botim i librit në gjuhën maqedonase dorëzohet në pesë ekzemplarë të detyrueshëm në Bibliotekën “Shën Naumi i Ohrit” dhe, nga aty pastaj një deponohet në Bibliotekën Nacionale në Manastir dhe një kopje në Bibliotekën Nacionale në Shtip!
Po libri shqip? Nëpër çfarë politikash kalon ai? Është koha e digjitalizimit të vrullshëm, këmbimi i librave është shumë lirë, pothuajse falas! Mungon vullneti dhe gatishmëria për respektim të politikave dhe strategjive nacionale mbi librin! Shumë keq! /HEJZA/

Leave a Reply