Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për të huajt me argumentin se veç mungesës së një strategjie shtetërore për shpopullimin, ligji nxit më shumë largimin e shqiptarëve.
“Jo vetëm që një strategji shtetërore për frenimin e shpopullimit mungon, porse ligjet që miratohen pasqyrojnë mungesën e vizionit për të adresuar problematikat aktuale të shoqërisë shqiptare, madje i rëndojnë e i thellojnë më shumë ato”.
Kreu i shtetit shkon dhe më tej, kur akuzon qeverinë se nuk ka asnjë plan për ndalimin e largimit të shqiptarëve dhe se ky ligj ka vetëm një qëllim.
“Përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, atë të plotësimi të atyre boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë te fuqia punëtore, që mund të ofrojnë shtetasit e vendeve të treta. Nëse ky është qëllimi real i qeverisë shqiptare, ky qëllim duhet shprehur hapur dhe kjo çështje kërkon diskutim të gjerë dhe gjithëpërfshirës, pasi nëse një masë e tillë ligjore nuk mendohet mirë, atëherë mund të krijohen pasoja shumë të rënda, riparimi i të cilave kapërcen disa fish mandatin e një Kuvendi apo një shumice qeverisëse.”
Por veç këtij shqetësimi, Presidenti Meta nënvizon se Shqipëria rrezikon të përballet me fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, përtej mundësive, kapaciteteve që Shqipëria ka, apo mund të ofrojë, dhe mund të përballojë.
“Kjo situatë kërkon vlerësim të thelluar, pasi mund të ndodhemi përpara rastit kur Shqipëria, të vuajë njëkohësisht si nga braktisja e vendit nga shtetasit shqiptarë, por dhe pamundësia për të përballuar kërkesat e paraqitura nisur nga pritshmëria legjitime e kërkuesve që do t`i mbështesin kërkimet e tyre te ky ligj dhe kriteret e tij jo mirë të përcaktuara dhe në mënyrë shproporcionale me gjendjen reale ekonomike dhe sociale të vendit.”
Meta e mbyll duke artikuluar për herë të parë njohjen e rezultatit të 25 prillit, për të cilin deri më tani ishte shprehur se nuk ishte përfundimtar.
“Shtetasit shqiptarë me të drejtë vote, në datën 25 prill 2021 kanë ushtruar të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Pavarësisht problematikave që ka shfaqur ky proces zgjedhor, ai ka prodhuar një rezultat përmes të cilit në shtator 2021, në Kuvendin e Shqipërisë do të zënë vend deputetët që përfaqësojnë edhe opozitën shqiptare, duke dalë kështu nga një moment shumë kritik i krizës së përfaqësimit dhe të legjitimitetit, nga i cili karakterizohej Kuvendi, që pas largimit të opozitës në shkurt 2019.”