Koronavirusi ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur për herë të parë pas kalimit nga një kafshë tek njeriu, tha një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë dhe kinezë që po hetonin origjinën e Covid-19. Ata thanë se nuk ka gjasa që të jetë e vërtetë teoria alternative se virusi e ka origjinën në një laborator kinez.
Një vizitë e vëzhguar nga afër e ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Wuhan, qyteti kinez ku u zbuluan rastet e para të koronavirusit, nuk ndryshoi në mënyrë dramatike të kuptuarin e ditëve të para të pandemisë, tha Peter Ben Embarek, udhëheqës i misionit të OBSH-së në Kinë.
Por ai udhëtim “zbuloi detaje të reja”, tha ai në një konferencë shtypi ndërsa grupi përfundoi një vizitë katër-javore në qytet. Misioni i dha mundësi ekipit të përbashkët të shkencëtarëve kinezë dhe atyre të OBSH-së të eksploronin më tej teorinë e rrjedhjes së virusit nga një laborator, të cilën ish-Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë nga administrata e tij e kishin hedhur pa ofruar prova. Ekipi erdhi në përfundimin se kjo nuk ishte e mundur. Instituti i Virologjisë në Wuhan ka shumë mostra të ndryshme të viruseve, duke çuar në akuza se mund të ketë qenë burimi i përhapjes fillestare të Covid-19, qoftë me qëllim apo aksidentalisht.
Embarek, një ekspert i OBSH-së për sigurinë ushqimore dhe sëmundjet e kafshëve, tha se ekspertët tani e konsiderojnë mundësinë e një prejardhjeje të tillë aq të pamundur sa nuk do të sugjerohet si një version për studim në të ardhmen. Por një tjetër anëtar i ekipit, shkencëtari danez Thea Koelsen Fischer, u tha gazetarëve se anëtarët e ekipit nuk mund ta përjashtojnë mundësinë e hetimeve të mëtejshme dhe drejtimeve të reja.
Kina tashmë e kishte refuzuar fuqimisht mundësinë e një rrjedhjeje të virusit nga laboratori dhe ka promovuar teori të tjera. Ekspertët kinezë dhe të huaj konsideruan disa ide se si sëmundja përfundoi për herë të parë tek njerëzit, duke çuar në një pandemi që tani ka vrarë më shumë se 2.3 milionë njerëz në të gjithë botën.
Embarek tha se gjetjet fillestare sugjerojnë se rruga më e mundshme e virusit ishte kalimi nga një lakuriq nate në një kafshë tjetër dhe pastaj tek njeriu, duke shtuar se për këtë duhen bërë studime të mëtejshme. “Gjetjet sugjerojnë se hipoteza e incidenteve laboratorike nuk ka shumë të ngjarë të shpjegojë paraqitjen e virusit tek njerëzi”, tha ai. I pyetur pse, zoti Embarek tha se rrjedhjet aksidentale janë jashtëzakonisht të rralla dhe se analiza nga ekipi i operacioneve laboratorike të Institutit të Virologjisë në Wuhan tregoi se do të ishte e vështirë që një gjë e tillë të ndodhte.
Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk kishte njoftime mbi praninë e një virusi të këtij lloji në ndonjë laborator para pandemisë. Liang Wannian, udhëheqës i ekipit kinez, e theksoi gjithashtu këtë, duke thënë se nuk kishte asnjë mostër të këtij virusi në Institutin e Virologjisë në Wuhan. Misioni synonte të ishte një hap fillestar në procesin e analizimit të origjinës së virusit, të cilin shkencëtarët kanë pohuar se mund të ketë kaluar tek njerëzit përmes një kafshe të egër, si pangolina ose minjtë.Transmetimi direkt nga lakuriqët e natës tek njerëzit ose përmes tregtisë së produkteve të ngrira ushqimore janë gjithashtu mundësi të shpjegimit të përhapjes së virusit, tha zoti Embarek.
Vizita e ekipit të OBSH-së është politikisht e ndjeshme për Pekinin, i cili është i shqetësuar se do të fajësohej për pretendimiet se ndërmori hapa të gabuar në përgjigjen e hershme ndaj pandemisë. Një hetim i agjencisë së lajmeve Associated Press ka zbuluar se qeveria kineze vuri kufizime në hulumtimet për shpërthimin e virusit dhe urdhëroi shkencëtarët të mos flasin me gazetarët./VOA