Nga Mark Leonard /
Viti që lamë pas solli shumë ngjarje tronditëse. Pandemia e Covid-19, nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Përkundrazi, ishte një katastrofë e krijuar nga njeriu përmes praktikimit të kaq shumë zakone tona të këqija dhe praktikave të rrezikshme dhe realisht vdekjeprurëse.
Mbi të gjitha, transmetimi i koronavirusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit, ishte një produkt i urbanizimi masiv dhe cënimit shkatërrues të habitateve natyrore, ndërsa përhapja e tij e shpejtë ishte rezultat i industrializimit të tepruar, tregtisë frenetike dhe zakoneve bashkëkohore të udhëtimit.
Po ashtu, paaftësia e botës për t’u bërë bashkë në frenimin e kësaj krize, reflekton shkallën në të cilën kapaciteti i qeverisjes mbetet shumë pas hiper-globalizimit. Shumë nga këto dështime ishin të dukshme edhe para se të shfaqej koronavirusi tek njerëzit, në shumë vende që mbështesin udhëheqësit nacionalistë dhe populistë, që u premtonin veprime të vendosura në një botë që dukej se kishe dalë jashtë kontrollit.
Por, megjithëse 2020-a ka qenë një vit i vështirë, ekzistojnë të paktën 5 arsye për të qenë të gëzuar dhe optimistë për vitin që po vjen. Arsyeja e parë dhe më e dukshme, është humbja në zgjedhje e presidentit amerikan Donald Trump.
Është një lehtësim i madh të zgjohesh në mëngjes, pa u shqetësuar mbi atë që ka shkruar në Twitter gjatë orëve të vona të natës njeriu më i pushtetshëm i botës. Shumë shpejt, SHBA-ja do të rikthehet të jetë ajo që ka qenë. Përveçse që e bëri Amerikën më të parashikueshme dhe të përgjegjshme, fitorja e presidentit të zgjedhur Joe Biden, do të ketë pasoja të rëndësishme për demokracitë në të gjithë botën.
Vetë Trumpianët e Evropës – kryeministri hungarez Viktor Orban dhe zv/kryeministri i Polonisë dhe sundimtari de facto i saj, Jaroslaw Kaczynski – kanë mbetur tashmë“jetimë” nga shkatërrimi politik i Trump.
Ndërsa evropianët po presim zgjedhje te tyre kombëtare – në Holandë dhe Gjermani në 2021, dhe në Francë në vitin 2022 – partitë populiste do të kenë më pak forcë për të diktuar rrjedhën e historisë. Në Britaninë e Madhe, kryeministri Boris Johnson po u përshtatet që tani erërave të reja politike.
Pas humbjes së Trump, ai e shkarkoi këshilltarin e tij populist të Brexit, Dominic Cummings, dhe sinjalizoi se ishte duke krijuar një identitet të ri për botën post-Trump. Arsyeja e dytë për të qenë të gëzuar dhe optimistë,ka të bëjë me lajmin se vaksinat anti-Covid kanë nisur që të shpërndahen.
Ky proces do të lejojë një kthim gradual drejt normalitetit, dhe mënyra se si janë zhvilluar këto vaksina, duhet të riafirmojë mbështetjen tonë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ishte shumë frymëzues fakti që vaksina e parë erdhi nga BioNTech, një kompani gjermane e financuar nga Bashkimi Evropian, por e udhëhequr nga dy shkencëtarë me origjinë turke.
Duke pasur parasysh shqetësimet e justifikueshme në lidhje me “nacionalizmin e vaksinave”, është e rëndësishme që njerëzit të kenë parë se internacionalizmi, dhe jo izolimi, është rruga për të dalë nga kjo krizë dhe krizat e tjera globale.
Kjo më çon në arsyen e tretë për të qenë optimistë: lajmet inkurajuese në frontin e klimës. Siç e kanë theksuar shumë analistë, ndryshimi i klimës mund të çojnë në një krizë edhe më të madhe se sa kjo e Covid-19. Por pas një rënie masive prej 7 për qind të emetimeve të gazrave serrë këtë vit, ne të paktën dimë se çfarë është e mundur.
Dhe, tani që qeveritë kanë dëshmuar se janë të afta që të shpenzojnë gjithçka që duhet në rastin e një emergjence, ato do të përballen me një presion në rritje për të investuar në teknologjitë e nevojshme, për një kalim sa më të shpejtë tek energjia e pastër.
Arsyeja e katërt për të qenë optimistë është kthimi i besimit tek qeveritë. Covid-19 i ka kujtuar që të gjithëve se sa e vlefshme mund të jetë një administratë publike kompetente. Ndërkohë ka sjellë një vëmendje të re mbi nevojën e rishpërndarjes.
Pas krizës financiare të vitit 2008, shumë njerëz shpresuan se ortodoksia dominuese neo-liberale t’i hapte rrugë demokracisë sociale dhe një kontrollit më të madh politik mbi ekonominë. Por në vend të kësaj, ne ndihmuam më shumë sistemet bankare, dhe dhamë shembuj të tjerë se“socializmi është për të pasurit dhe kapitalizmi për të varfrit”.
Pas një dekade të masave të dhimbshme të kursimit, dhe përmbysjeve politike që shkaktuan ato, qeveritë po marrin më në fund më shumë përgjegjësi për mirëqenien e publikut. Partitë kryesore, përfshirë demokratët në SHBA, po tentojnë të çojnë përpara politikat për mbështetjen e punëtorëve dhe klasës së mesme, duke ofruar shpresë se më në fund do të adresohet edhe problemi i pabarazisë strukturore, që krijon terren për lëvizjet populiste.
Dhe kjo na çon tek arsyeja e fundit për të qenë të gëzuar. Pandemia ka shkaktuar një rishikim të sistemit global. Në vend të hiper-globalizimit kaotik, shumë fuqi udhëheqëse po kërkojnë mbi mënyrat për të pajtuar oreksin për mallra të lirë, teknologji të përparuara, dhe përfitime të tjera të tregtisë, me një kontroll më të madh mbi çështjet e brendshme. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për “shkëputje” në SHBA”, “qarkullim të dyfishtë” në Kinë, apo “autonomi strategjike” në Evropë, tani po zhvillohen debatet e politikave të vonuara.
Sigurisht, është shumë herët për të shpallur fitoren në ndonjë nga betejat tona aktuale.
Biden do ta ketë të vështirë të qeverisë një vend të polarizuar përballë rezistencës së republikanëve. Shpërndarja e vaksinave në të gjithë botën, do të jetë një sfidë e madhe logjistike. Fuqitë e mëdha konkurruese, mund ta sabotojnë ende axhendën e klimës përpara samitit të klimës në Glasgou të Skocisë, në nëntorin e vitit të ardhshëm.
Kërcënimi i reçesionit dhe i krizave të reja të borxhit mund ta thellojnë më tej pabarazinë, duke siguruar një kthim tek politikat më toksike. Ringjallja e ëndrrës evropiane, do të varet nga rezultati i zgjedhjeve kombëtare,që zakonisht janë shumë të kontestuara. Por ndërsa afrohet viti 2021, gjërat duken shumë më mirë sesa dukeshin vetëm disa muaj më parë.
“Project Syndicate”