Për të parandaluar zhdukjen e zejtarisë së trashëguar në shekuj nga mjeshtrat shqiptarë, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, prezantuan projektligjin për zejtarinë. Nëpërmjet kësaj iniciative ligjore synohet nxitja e zhvillimit të zejtarisë në Shqipëri.
“Arsimi profesional është një nga përgjigjet e duhura në drejtimin e duhur, duke u hapur të rinjve dhe të rejave një mundësi të re e për t’u thënë se për të patur nesër një punë, duhet keni një zanat dhe se nëpërmjet zanatit do të kesh gjithmonë në dorë një mundësi që nuk e kanë të tjerët, qoftë për t’u punësuar diku, qoftë për të hapur një biznes tëndin”, deklaroi Rama.
Politika e ndjekur nga qeveria gjatë këtyre 18 muajve, tha ndërkohë ministri Veliaj, ka qenë që t’u japë të rinjve një zanat të certifikuar, i cili nesër do të jetë një garanci më shumë për një punë.
“Ne kemi marrë vendime dhe ligje që po na çojnë në drejtimin e duhur sa i përket punësimit dhe arsimit profesional. Ndaj më vjen mirë që edhe ligji për zejtarinë për sipërmarrës, shoqata biznesi dhe për të gjithë ata që duan të futen në tregun e punës do jenë më tepër mjeshtër të diçkaje sesa çirakë të gjithçkaje. Besoj se po bëjmë një zgjedhje në drejtimin e duhur. Më vjen mirë që një nga punët e fundit në ditët e fundit të ministrisë është ky ligj i zejeve për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të punësohen”, tha Veliaj.
Kryeministri Rama foli më tej edhe për pritshëmëritë dhe çfarë Erion Veliaj pas 21 Qershorit do të bëjë për Tiranën.
“Do bëjmë maksimumin për të gjetur një zëvendësues të denjë të ministrit më të suksesshëm, më të vullnetshëm dhe më punëtor të qeverisë sonë, i cili pas pak ditësh do t’i përkushtohet një pune të re për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. Për ta bërë Tiranën në 4 vitet e ardhshme, atë që nuk është bërë në 20 vite të marrë së bashku”, tha Rama.