Shaqir Fetai dhe kriza në BFI: Kur përçarjet dhe keqmenaxhimi prekin punonjësit

Shaqir Fetai duhet të japë llogari për krizën e rëndë që e ka shkaktuar në BFI, dhe institucionet shtetërore duhet të marrin masa për të siguruar që e drejta e punonjësve për mbrojtje shëndetësore dhe financiare të mos shkilet më

Nga Milazim Braho

Shaqir Fetai, i cili supozohet të jetë “lideri” dhe kryeadministrator i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, ka shndërruar këtë institucion në një vatër përçarjesh dhe keqmenaxhimi të paprecedentë. Për herë të parë në historinë e BFI-së, janë bllokuar llogaritë financiare të institucionit, duke lënë të punësuarit pa siguracione dhe pa mbrojtje shëndetësore, një situatë absurde dhe e rrezikshme që kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve kompetente të shtetit.

Kush paguan për dështimet e Shaqir Fetait

Në kushtet aktuale, punonjësit e BFI-së, që marrin një rrogë nga ky institucion, janë lënë në mëshirën e fatit. Pa sigurime shëndetësore, ata nuk mund të përballojnë trajtimet mjekësore në rast sëmundjeje, duke u detyruar t’i paguajnë ato nga xhepi i tyre. Ndërkohë, përçarjet dhe konfliktet e brendshme të shkaktuara nga politikat kaotike të Shaqir Fetait janë shkaku kryesor i kësaj krize. Ky është një akt i papranueshëm që jo vetëm cenon të drejtat bazë të punonjësve, por gjithashtu hedh dritë mbi dështimin total të këtij udhëheqësi për të menaxhuar një institucion kaq të rëndësishëm.

Paditë gjyqësore mbi interesat e punonjësve

Në vend që të sigurojë stabilitet financiar për institucionin dhe mbrojtje për punonjësit e tij, Shaqir Fetai dhe “rijaseti” i tij duket se kanë vendosur si prioritet ngritjen e dhjetëra padive në gjykatat e Maqedonisë së Veriut. Këto procese gjyqësore, të cilat janë shpesh produkt i përçarjeve të brendshme dhe interesave personale të Shaqir Fetait, po i kushtojnë BFI-së mijëra euro çdo vit. Vetëm për një lëndë, një shkresë mund të kushtojë 200-300 euro, ndërsa avokatët që përfaqësojnë BFI-në marrin shuma të majme për çdo paraqitje në seancat gjyqësore, përveç pagesave mujore të tyre. Flitet se nga këto pagesa ndahen përqindje për Shaqiir Fetain si dhe edhe për nja dy bashkëpunëtorë të tij të cilët nuk bëjnë absolutisht asnjë punë në BFI e që tashmë janë të njohur si sekserë besnik të Fetait.
Ky shpenzim i panevojshëm i fondeve të institucionit është një tregues i qartë i mungesës së përgjegjësisë dhe i prioriteteve të çoroditura të këtij lideri. Si mund të justifikohet fakti që mijëra euro harxhohen për konflikte gjyqësore të kota, ndërsa punonjësit lihen pa sigurime? Ky është një akt që kalon kufijtë e papërgjegjshmërisë dhe shkon drejt kategorisë së krimit institucional.

Ku janë institucionet gjegjëse të shtetit

Situata aktuale në BFI kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë dhe organet e tjera kompetente. Mos pagesa e kontributeve të sigurimeve është një shkelje e rëndë që duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Për më tepër, keqpërdorimi i fondeve të institucionit për çështje gjyqësore të panevojshme është një akt që cenon integritetin financiar dhe funksionimin e BFI-së.
Shaqir Fetai, në vend që të punojë për të bashkuar komunitetin dhe për të forcuar institucionin që ai drejton, ka zgjedhur të ndjekë politika përçarëse që kanë krijuar kaos dhe bllokime në çdo nivel të BFI-së. Ky keqmenaxhim ka dëmtuar rëndë jo vetëm punonjësit, por edhe imazhin e këtij institucioni në sytë e komunitetit.
Shaqir Fetai duhet të japë llogari për këtë krizë, dhe institucionet shtetërore duhet të marrin masa për të siguruar që e drejta e punonjësve për mbrojtje shëndetësore dhe financiare të mos shkilet më. Ky dështim i paprecedentë kërkon jo vetëm një hetim të plotë, por edhe një reformë të thellë në menaxhimin e BFI-së, për të siguruar që ky institucion të rifitojë integritetin dhe besimin e humbur.
Kjo situatë nuk është thjesht një problem administrativ; është një akt i pastër i neglizhencës dhe abuzimit që nuk duhet të tolerohet më gjatë, por dhe dikush të merret në përgjegjësi para organeve gjegjëse të hetuesisë.

Leave a Reply