Shqipëria, e shtata në Evropë për ndotjen më të lartë të ajrit

Cilësia e ajrit në Shqipëri është përkeqësuar nga viti në vit duke bërë që për 2023-in të renditemi në vendin e 7-të në Europë për normën më të lartë të ndotjes.

Sipas raportit botëror të cilësisë së ajrit, përqendrimi mesatar i grimcave të pluhurit me madhësi 2.5 mikron në vendin tonë është 16.7 mikrogramë për metër kub, gati trefishi i vlerës së lejuar nga OBSH.

Për ekspertët e mjedisit grimcat e pluhurit PM 2.5 shkaktohen nga disa faktorë, po më kryesori në Shqipëri është transporti.

“Në cilësinë e ajrit në Shqipëri ndikon shumë flota e vjetër e makinave, cilësia e karburanteve, menaxhimi i transportit, por deri diku dhe zhvillimet intensive dhe agresive të ndërtimit në qytet”, tha Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisi.

Pasojat e ndotjes së ajrit i përjetojnë drejtpërdrejtë qytetarët. Agjencia Europiane e Mjedisit në një raport për vitin 2021 vlerësoi se ndotja e ajrit ka shkaktuar në Shqipëri 4 mijë e 600 vdekje.

“Shtresat më të ekspozuara janë moshat e treta dhe ata që kanë probleme në sistemin e frymëmarrjes. Kryesisht asmatikës, dhe në këtë sezon pranvere ndotja e ajrit bëhet më problematike sepse mbivendosen edhe polenet. Të rrezikuar janë po ashtu edhe fëmijët”, tha Qirjo.

Shteti me ajrin më të ndotur në Europë rezulton Bosnjë Hercegovina, pasuar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Greqia dhe Shqipëria.

Leave a Reply