Në një status të vetin, ish-reisul Ulema i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, kishte shkruar mbi një trend të frikshëm të parcializimit të Institucioneve fetare përmes regjistrimit të bashkësive të reja fetare si dhe të grupeve religjioze. “Nga 1 Bashkësi islame dhe 2-3 grupe religjioze që kan qenë, tani jan 3 bashkësi islame dhe 12 grupe religjioze”, shkruan ef. Rexhepi.
Shkruan: Mr. Eset Shaqiri*
Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe në Ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësive fetare si dhe grupeve religjioze, (Neni 2 i këtij Ligji), këto bashkësi fetare dhe grupe religjioze, janë bashkësi vullnetare të personave fiizikë, të cilët, përmes besimit të tyre fetar si dhe burimeve të mësimeve fetare përkatëse, të bashkuar sipas besimit dhe idenitetit realizojnë lirinë e tyre për mësimbesimin fetar, duke e shprehur këtë përmes lutjeve, dhe riteve fetare të besimit përkatës.
Neni 1 i Kushtetutës së BFI-së, Bashkësinë Fetare Islame e definon kështu: “Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë është organizatë e vetme e cila organizon jetën fetare të muslimanëve në Maqedoni dhe mërgimtarëve të përkohshëm jashtë vendit. BFI veprimtarinë e vet e mbështet në Kur’an, në Sunnet, në këtë Kushtetutë dhe në aktet normative që dalin nga e njëjta… Në zbatimin e detyrave islame, në fushën e ibadeteve, BFI aplikon Shkollën juridike hanefite.”
Nisur nga këto fakte, të cilat janë edhe norma juridike, para të cilëve kanë detyrime dhe përgjegjësi të gjithë qytetarët e vendit, pavarësisht se çfarë veprimtarie ushtrojnë, çdo përpjekje, kryesisht politike, për të regjistruar bashkësi apo grupe religjioze që i kanë këto karakteristika, në fakt paraqet tendencë për ta shkërmoqur e për ta fraksionuar deri në shkatërrim BFI-në, e cila ka dëshmuar stabilitet dhe ekzistencë mbi gjashtëshekullore, duke demonstruar rol, mosnënshtrim, përgjegjësi dhe detyrime para besimtarëve të vet si dhe vetëdije të lartë para lojërave të pushteteve që gjithnjë i ka konsideruar si relative, si diçka që vijnë e shkojnë. Ngelë vetëm besimi, lutjet dhe bindjet e patundshme fetare.
Bashkësia Fetare Islame kurrë nuk ka qenë kundër grupeve religjioze, kurrë nuk ka qenë kundër shoqatave joqeveritare që kanë ushtruar aktivitete fetare, kurrë nuk ka qenë kundër shkollave juridike fetare, por edhe kurrë nuk ka toleruar që trungu i vet fetar, i shkollë Hanefite, të bëhet thërima-thërima dhe të humb rolin e vet të shenjtë, besimin në Allah e jo në puta e simbole të kota!
Bashkësia Fetare Islame në RMV, si Institucion i besimtarëve islam që i përkasin shkollës juridike Hanefite, duke e kultivuar islamin mbi gjashteshekullor në këto hapësira, ka arritur që të ketë objektet e veta për lutje, siç janë xhamitë e mesxhidet, ka arritur të ketë vakëfin e vet, varrezat, ceremonitë fetare të lindjes, të varrimit, mënyrën e lutjes dhe faljes së namazeve. Do të ishte katastrofë e madhe për këtë Institucion nëse do të heshte dhe do të lejonte që turlifarë mahluki, me misione nga “shkolla” prej nga vjen, me detyra konkrete përçarëse dhe destabilizuese, të tolerojë që të futet pyka e përçarjes fetare dhe kombëtare, vetëm e vetëm që t’i justifikojnë financat e pista që individë të caktuar i marrin nga “shkollat” e tyre që fund e krye janë të ideologjizuara.
Këto “tolerime shtetërore” në fakt janë keqinterpretim të qëllimshëm të akteve juridike, janë “strategji shtetërore” për t’i shantazhuar bashkësitë fetare, janë politika për t’ua drobitur forcën dhe fuqinë që e kanë komunitetet e caktuara fetare që funskionojnë në vend. Veç kësaj, këto akte të shëmtuara të pushtetit dëshmojnë edhe për injorancën e tyre, dëshmojnë për qëndrimet ateiste e antifetare të tyre, dëshmojnë mosnjohje elementare të besimeve fetare. Plotësisht ka të drejë një individ apo një grup besimtarësh që t’i luten një peme, një guri apo një pellgu me ujë! Por duhet të tregohet se cilës pemë i luten, cilit dru, apo cilit gurë, sepse, bota e tëra është dru, gurë e ujë! Do të përhapet “besimi” i këtyre grupeve se ne jemi qeraxhinjë të drurit, gurit dhe ujit që janë vendlutja e tyre!
Xhamitë tona, varrezat tona, prona jonë, ka një pronar, BFI-në dhe, ato nuk mund të shfrytëzohen nga askush, qoftë ai i regjistruar edhe në Regjistrin Qendror Shtetëror apo në fletoren e Komisionit për pozita juridike të kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze. Ose, shteti qëllimisht u jep hapësirë e objekte, apo ua bën të ligjshëm uzurpimet e objektev të BFI-së vetëm e vetëm të shkaktojë përçarje e incidente të mundshme.
Bashkësia Fetare Islame në RMV duhet të ngrisë iniciativë për riorganizim të këtij farë Komisioni si trupë qeveritare, i cili përbehet kryesisht nga individë partiakë e politikisht të ngarkuar! Një Komision i tillë do të duhej të përbëhej ekskluzivisht nga përfaqësues të devotshëm të bashksive fetare të cilat ekzistojnë dhe funksionojnë me shekuj në këtë nënqiell. Këta mund të jenë ata ekspertë që mund të japin propozimin, apo lejen, që kanë kapacitete ta dallojnë qëllimin, synimin dhe “fenë” e gjithësecilit që tenton të regjistrojë bashkësi fetare apo asociacione religjioze. E drejtë e Regjistrit Qendror të ngelë vetëm regjistrimi i shoqatave joqeveritare dhe jo edhe të bashkësive apo grupeve religjioze për të cilat nuk kanë as kokrrën e haberit!
A mund të ndodhë, për shembull, kjo: Unë jam anëtarë i BDI-së por në këtë Parti dua ta zhvillojë ideologjinë politike të Aleancës apo të Alternativës. Unë jam anëtarë besnik i LSDM-së por dua që në këtë parrti ta zhvilloj ideologjinë e VMRO-së!
Pikërisht kjo lojë e struturave qëllimkëqia po luhet në kurriz të Bashkësisë Fetare Islame. Tani, mëqë kanë “në krye” edhe njeriun e përshtatshëm dhe të gatshëm për rrënim të të vetmit institucion fetar islam në vend, gjithçka e kanë të lehtë dhe të realizueshëm. Me Shaqir Fetain gjithçka është e mundur. Vetëm thuaj “Skopsko”!
*Autori është zv/kordinator i Këshillit për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI