Në Turqi u mbajtën këtë të diel zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nën hijen e përkeqësimit të sigurisë dhe shqetësimeve ekonomike, e që me të gjitha gjasat do të ndikojë në rrugëtimin e një vendi tepër të polarizuar, ashtu si dhe në atë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Kur janë numëruar rreth 85% e votave duket se AKP e Erdogan do të kalojë pragun e 50%, pasi deri tani ka marrë 50.3%, ndërsa partia kryesore opozitare ka marrë deri tani 24.4% të votave.
Partia pro-kurde dhe nacionalistët e MHP, duket se do të kalojnë pragun e nevojshëm prej 10%.
Me rezultatet e deritanishme ka të ngjarë që AKP-ja të formojë e vetme qeverinë pas dështimit të në zgjedhjet e qershorit.
Zgjedhjet e sotme janë të dytat në 5 muaj, pasi partia “AK” e themeluar nga Erdogani humbi në qershor shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, të cilët e siguronte që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002.
Mediat turke raportojnë se parashikohet që partia në pushtet të marrë 276 vende në parlament, të nevojshme për të fituar shumicën.
Prej atëherë, armëpushimi që ishte në fuqi me militantët kurdë është shkelur duke u kthyer në një gjakderdhje të përditshme thuajse, lufta në Sirinë fqinje është përkeqësuar, ndërsa Turqia, pavarësisht se është vend anëtar i NATO-s ka rënë prè e dy sulmeve kamikaze me bombë të marra përsipër nga Shteti Islamik, duke lënë të vdekur mbi 130 persona.
Investitorët dhe aleatët e Perëndimit shpresojnë që zgjedhjet do të sjellin qëndrueshmëri dhe do të rrisin besimin në ekonominë turke, duke i lejuar Ankarasë të luajë një rol edhe më të fuqishëm në përballimin dhe ndaljen e fluksit të emigrantëve drejt Europës, si dhe të ndihmojë në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.
Gjatë kësaj fushate ka pasur shumë më pak flamuj, postera dhe autobusë që u dyndën fuqishëm gjatë fushatës së muajit qershor. Por, Erdogan e ka konsideruar këtë rivotim të zymtë si tepër jetik për Turqinë, në mënyrë që të kthehet nën regjimin njëpartiak të partisë së themeluar prej tij, pas disa muajsh pasigurie politike.