Sot heshtje zgjedhore

Të dielën zhvillohen zgjedhjet lokale

E shtuna është heshtje zgjedhore, pas mbylljes një ditë më parë të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen këtë të dielë. Në këto zgjedhje janë 36 forca të regjistruara. 21 të grupuara në koalicionin e Partisë Socialistë me koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 6 si pjesë e koalicionit “Shpresa për Ndryshim”e drejtuar nga partia e Arian Starovës, ndërsa 9 parti të tjera kanë hyrë në këto zgjedhje të vetme mes të cilave dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar në fund të Majit listën përfundimtare të zgjedhësve sipas së cilës të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 536 mijë e 15 shtetas.

132 mijë e 788 persona votojnë për herë të parë. 51% e votuesve janë meshkuj dhe 49% votuese femra. Nga 61 bashki, në 35 nuk ka garë pasi janë regjistruar vetëm nga një kandidat dhe ky i Partisë Socialiste. Në 25 të tjera socialistët kanë përballë kandidatët e Bindjes Demokratike.

Këto janë zgjedhjet e para pas vitit ’90 ku Partia Demokratike nuk merr pjesë. Ato u paraprinë nga 3 dekrete të Presidentit të Republikës. Pas nxjerres së dekretit, ku data 30 Qershor u vendos të ishte data e zgjedhjeve, në date 8 Qershor kreu i shtetit doli me dekretin që shfuqizonte këtë datë, dhe vetëm të enjten, 3 dite para zgjedhjeve firmosi dekretin e tretë që shpallte datën 13 Tetor si datën e zgjedhjeve lokale. Dy dekretet e fundit janë shpallur si nul nga socialistët, të cilët njohin vetëm 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve./Tv Klan

Leave a Reply