SHBA-Kore e Jugut gati për stërvitjet e përbashkëta ushtarake

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të fillojnë stërvitjet e tyre të përbashkëta vjetore të martën, që sipas mediave shënon një vonesë dy-ditore për shkak se një oficer koreano-jugor testoi pozitiv për koronavirusin.

Stërvitjet, që duhet të fillonin të dielën, u shtynë pas testimit pozitiv me koronavirus të një oficeri, i cili do të merrte pjesë në stërvitje, tha agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap.

Stërvitjet e përbashkëta vëzhgohen nga afër nga Koreja e Veriut, e cila i quan ato një “provë për luftë”. Stërvitjet janë zvogëluar në përmasa vitet e fundit për të lehtësuar negociatat e SHBA që synojnë eliminimin e programeve bërthamore të Phenianit.

Stërvitjet e këtij viti do të zvogëlohen, duke mos mobilizuar trupat me bazë në SHBA, në klimën e kufizimeve për COVID-19, pasi personelit amerikan i duhet të udhëtojë për në Korenë e Jugut. Programi stërvitor i këtij viti përfundon më 28 Gusht. /VOA

Leave a Reply