Shkencëtarët besojnë se niveli global i deteve mund të rritet shumë më shumë nga sa ishte parashikuar, për shkak të shkrirjes me ritme të shpejta të akujve në Greenland dhe Antarktikë. Në një shkrim të botuar nga BBC, thuhet se këndvështrimi afatgjatë ka qenë se niveli i deteve në botë do të rritej me maksimumi nën një metër deri në vitin 2100.
Por në studimin e ri, bazuar në opinionet e ekspertëve, projektohet se niveli real mund të jetë dyfishi i parashikuar. Autorët e studimit thonë se kjo mund të çojë në zhvendosjen e qindra mijëra personave në mbarë globin.
Ndryshimi i nivelit të deteve ishte një prej çështjeve më të debatuara, të ngritura nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), në raportin e pestë të publikuar në 2013-n. Në të thuhej se ngrohja e vazhdueshme e planetit, pa reduktime të mëdha në emetime, do të sillte rritje të nivelit të deteve me 52-98 centimetra deri në 2100.
Shumë ekspertë besojnë se kjo ishte një përllogaritje shumë konservatore. Shkencëtarët e fushës janë gjithashtu të shqetësuar se modelet të cilat përdoren aktualisht për të parashikuar influencën e masave të mëdha të akujve në nivelin e deteve nuk kapin të gjitha paqartësitë për mënyrën sesi po shkrihen.
Në përpjekje për të pasur një panoramë më të qartë, disa prej hulumtuesve kryesorë të fushës ndërmorën atë që njihet si një studim i strukturuar i gjykimit të ekspertëve, në të cilin shkencëtarët bëjnë parashikime në bazë të njohurive të tyre dhe kuptimit që kanë për atë që po ndodh në Greenland dhe në Antarktikë.
Në këndvështrimin e studiuesve, nëse emetimet vijojnë në trajektoren aktuale, atëherë niveli i deteve me shumë gjasë do të rritet nga 62 deri në 238 centimetra deri në vitin 2100. Kjo do të ndodhte në një botë të ngrohur me rreth 5 gradë Celcius, një prej skenarëve më të këqij të ngrohjes globale.
Ekspertët thonë se nëse kjo do të ndodhte do të kishte probleme të mëdha për planetin. Ata përllogarisin se bota do të humbiste një sipërfaqe toke të barabartë me 1.79 milionë kilometra katrorë, ekuivalente me madhësinë e Libisë.
Pjesa më e madhe e tokës që do të humbiste do të ishin zona të rëndësishme të rritjes së ushqimit, si delta e Nilit. Për shumë njerëz do të ishte e vështirë që të jetonin në zona të mëdha të Bangladeshit. Në rrezik do të ishin edhe disa prej qyteteve më të mëdha të globit, përfshirë Londrën, New York-un e Shangain.
Numri i popullsisë që do të detyrohej të shpërngulej nëse niveli i deteve do të rritej me 2 metra, sipas ekspertëve do të ishte rreth 200 herë më i lartë se numri i refugjatëve që erdhën në Europë gjatë krizës në Siri. Në këtë rast, ata ishin rreth 1 milionë.
Megjithatë, autorët thonë se ka ende kohë për të evituar skenarë të tillë, nëse në dekadat që do të vijnë, do të punohet për të reduktuar ndjeshëm emetimet. Ata pranojnë që shanset për një katastrofë të tillë janë shumë të vogla, por theksojnë se kjo çështje nuk duhet nënvlerësuar.