Akropoli i identitetit kulturor (3)

Barokëzimi i Shkupit si projekt kishtar

Shkruan: Avni Halimi

Stili barok lindi në fillim të shekullit XVII, atëherë kur po degradonin dhe kur po humbisnin idealet e humanizmit. Pra, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politiko-shoqërore, ekonomike, shpirtërore, shpërtheu baroku. Baroku, përveç që përfaqësonte një stil artistik, mbi të gjitha, i hapi portat për një qasje ndryshe në marëdhënie me botën. Për përfaqësuesit e barokut jeta e lumtur, zhvillimi shoqëror, estetika dhe kuptimi i botës fillonte me këtë stil. Gjithçka tjetër deri atëherë kishte qenë dekadencë dhe jetë në dëm të shoqërisë.
Reforma e përhapur gati në të gjitha vendet katolike, me përjashtim të Romës, që tashmë ishin tronditur bukur shumë nga luftrat e ashpra fetare si dhe nga rreziqet e ndryshme që vinin në emër të fesë, kërkonin që tek besimtarët të shtohej emocioni i fuqishëm dhe ta shkatërronte atë ideal kryesor që ishte deri në atë kohë: besimi i verbër, ekstaza dhe vdekja. Me këtë rast nga kisha filloi të shpërndahet një art i ri fetar, një lloj muzike e re fetare, me më shumë shpresë, me insistim për jetë të lumtur. Kësisoj, duke e arritur kisha fitoren mbi Reformën e saj, nisi të lulëzojë një art i ri fetar, i cili shumë shpejt u shtri në arkitekturë dhe me të madhe u përqafua nga skulptura. Ky art, ky stil i ri i jetës u quajt barok, të cilit nuk i rezistuan as artistët e kohës, as shtresa elitiste por as tërë shoqëria. Baroku u bë ushqim shpirtëror dhe kryesor edhe për botën laike. Gradualisht, duke u liruar nga temat fetare, baroku u konfirmua edhe si një proces, si një filozofi, si një mënyrë jete dhe veprimi në kontekstin e kulturës së shekullit XVII. Meqë doli nga kisha dhe manastiret me disiplinë të fortë, me rregulla e përulësi ndaj të gjithëpushtetshmit, baroku u përqafua si stil jete më së shumti nga rrethet aristokrate dhe, sidomos, nga oborrtarët.
“Perandori” dhe oborrtarët e pushtetit të sotshëm kanë vendosur që, inferioritetin kombëtar, depresionin, përçmimin dhe dorëzimin para faktit se janë kombi më i ri në Evropë, ta zëvendësojnë me një emocion të fuqishëm, me një eufori të sforcuar me doza të trimërisë mitike dhe të forcës biblike. Këtë ndryshim e nisën nga Kisha dhe bashkë me Kishën. Një hap nuk hidhet pa bekimin e Kishës. Kisha depërtoi thellë në jetën laike dhe, dalëngadalë po tërhiqet prej aty, sepse, tashmë e krijoi mentalitetin barokian tek populli i vet. Vetëm përmes barokut mund të përcillet mesazhi se Maqedonia ortodokse e ka pushtetin me vlera kishtare. E tërë bota përpiqet që të jetë në hap me kohën, që t’i përgjigjet kërkesave avangarde, që të jetë në drejtim të rrjedhave të përgjithshme bashkëkohore, në të gjitha sferat e jetës, pra edhe në arkitekturë, vetëm Maqedonia e Gruevskit e parapëlqen kthimin te mentaliteti, koncepti dhe stili i shekullit XVII – te epoka e barokut, atje ku lumturia e shoqërisë kthehet dhe arrihet me kishën dhe vetëm përmes kishës!

https://www.facebook.com/104112788651300/posts/137700231959222/

Leave a Reply