Midis nesh
Ekziston një dallim esencial në mes të intelektualit të ideologjizuar dhe intelektualit me ideal! I pari shkrihet për interes të ideologjisë, të cilën e prodhon struktura e organizuar partiake dhe, i dyti, shkrihet për ideal i cili arrihet vetëm pasi të sendërtohet e drejta dhe liria absolute individuale apo edhe etnike. Të parët, ndonëse mund të jenë me mijëra e me shumë famë, sapo të shuhet ideologjia, shuhen edhe ata (ku ngelën intelektualët e fundit, ata komunizmit?), kurse të dytët, përjetë ngelin në memorien e kombit, në historinë e përbotshme!
Pra, është interes partiak që sa më shumë t’ia arrijë që të idealogjizojë intelektualë. Ky interes gjithnjë është në konflikt me vlerat universale, siç janë e drejta, e vërteta, e mira, liria, barazia etj. Së këndejmi, është interes ekskluzivisht partiak që nga anëtarët e vet, përfshirë këtu edhe intelektualët, të kërkojë vetëm lojalitet (pra, jo interesim pas ideales). Ata që insistojnë në drejtësi apo që angazhohen për një të drejtë, ata edhe mund të përjashtohen nga radhët partiake, si rebelë. Gjithnjë për partinë lojaliteti vihet para së vërtetës! Madje, edhe gjatë një shkarkimi eventual të intelektualit nga partia, lojaliteti i tij duhet të përfundojë me vetëkritikë për moslojalitet! Asnjë ideologji si koncept nuk ka të parapara masa ndëshkimore për moslojalitet, do me thënë, lojaliteti i masave, përfshirë këtu edhe i intelektualëve, i intereson vetëm strukturës udhëheqëse të partisë.
Intelektualët e mirëfilltë, thellë në vete, më shumë e ndjejnë kulturën se sa organizimin partiak, më shumë e ndjejnë si sfidë zhvillimin kulturor se sa përforcimin partiak! Partitë tona, përfundimisht, kulturën e kanë diku kah fundi në listën e prioriteteve partiake. Sepse kjo do angazhim intelektual; sepse kjo mund të jetë një derë e vogël prej nga mund të ikë lojaliteti.
Angazhimet eventuale të intelektualëve brenda partisë, pra angazhimet e tyre për shtimin e vlerave kulturore, për të mirën, për të bukurën, në njërën anë dhe, në anën tjetër, frikën partiake për shkeljen e lojalitetit që është shpirti i një partie, mund të çojë deri te ndonjë “revolucion”, sektarizim, madje edhe fragmentarizim partiak, me çka, mund të vije deri te themelimi i ndonjë “lëvizje politike”, të cilat pastaj sërish në kult do ta ngrenë lojalitetin! “Revolucioni” dhe lojaliteti partiak janë dy elementë ciklikë, dy rrota të pandalshme që rrezikojnë përplasjen e idealit i cili prodhon dhe provokon ngritjen e strukturave politike!
Intelektuali revolucionar është gjithnjë i pakënaqshëm, gjithnjë në vrapim pas sa më të mirës, si vlerë kulturore, gjithnjë pas rezultateve që e ngulfasin lojalitetin. Fundja, lojaliteti partiak nuk është asgjë tjetër përveçse servilizëm i cili shton destruktivitetin, dekadencën, robërinë!
Fare në fund, intelektualiteti partiak nuk merret me ngritjen në “kult partie” të lojalistëve apo servilëve, por, fatmirësisht, angazhohet për përjetësinë e intelektualëve militantë, të cilët (pas vdekjes) kalojnë në institucione partiake, duke mbajtur me krenari emrat e tyre. E keqja e këtij “nderimi” është se, këta persona, sado që mund të kenë qenë intelektual të mëdhenj, megjithatë, kanë qenë (dhe kanë vdekur!) lojalistë të papërmirësueshëm, prandaj dhe ngelin “të famshmit e partisë”, pa atë aureolën e kombëtares, e shtetërores.
Intelektualët dhe partitë duhet të perceptohen dhe të kuptohen si dy elementë që sjellin harmoninë e domosdoshme, si shpirti dhe fuqia, si toka dhe qielli, si uji dhe zjarri.
Partitë duhet të kuptojnë se pa intelektualë nuk mund të funksionojnë, ose funksionojnë, por skajshmërish të varfër në shpirt! Intelektualët mund të funksionojnë fare lehtë jashtë çdo partie dhe ta luftojnë guximshëm lojalitetin dhe servilizmin partiak! /HEJZA/