A kemi pasur rojë kulture!

Midis nesh

Sa është e kulturuar ministria për kulturë? Nuk shtrohet pyetja këtu për kulturën e punës që duhet ta ketë administrata e kësaj ministrie, por sa kjo administratë e njeh kulturën! A e percepton kjo ministri kulturën si “pasqyrë e shpirt” të një populli, e trashëguar që kur di për vete populli! Institucionet, por edhe subjektet fizike, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillime të kulturës së një populli, në fakt, duhet të llogariten si “opozita më e pabindur” e një populli në raport me pushtetet politike. Krijuesit, artistët, kulturë-bërësit, janë ana tjetër e medaljes së një komuniteti të gjerë të angazhuar në bërjen e shtetit, në ruajtjen dhe në lartësimin e tij! Kjo kategori e shoqërisë, përgjatë historisë së njerëzimit, shpesh ka ditur të përplaset me pushtete dhe përplasjet e tilla kanë rezultuar fatale për mbretër e qeveri!
Pra, ministria e kulturës është “e shpikur” si dikaster për të qenë servis që përafron interesat e pushtetit politik me interesat e kulturës si “pushtet” më vete! Nuk është ky dikaster që t’ia rregullojë imazhin kulturor një qeverie, nuk është as për ta ushtruar një politikë të caktuar të pushtetit mbi artistë, krijues e kulturë-bërës! Pa dyshim, ministria e kulturës në kuadër të një qeverie popullore mbase është segmenti kontrollues i buxhetit të caktuar nga qeveria, të përcjellë mënyrën e shpenzimit të fondeve të dedikuar për projektet që i kanë kërkuar institucionet apo subjektet e ndryshëm fizik.
Nga ana tjetër, ministria për kulturë është paramenduar si “altoparlant” i shqetësimeve, i kërkesave, i interesave të artistëve dhe krijuesve; ministria e kulturës duhet të jetë “avokat” dhe t’i avokojë të gjitha shqetësimet kulturore në qeverinë e vet! Ministria e kulturës duhet të dijë edhe të reagojë, madje edhe të ankohet publikisht për politikat e gabuara apo të mangëta kulturore të qeverisë. Duhet të protestojë, apo të paktën të jetë bartëse e reagimeve dhe protestave të krijuesve, artistëve si dhe komunitetit tjetër të angazhuar në fusha të ndryshme kulturore (muze, biblioteka, institucione të trashëgimisë kulturore etj.) Vetëm një situatë e tillë do të mund të dëshmonte se ministria e kulturës është e kulturuar. Prandaj, në mungesë të këtyre situatave, fare lehtë konstatohet se ministria e kulturës është, në fakt, dikaster i politizuar apo për më keq, i partizuar.
Ministria e kulturës, e zhveshur nga petku politiko-partiak, do t’i evidentonte të gjitha nevojat e institucioneve kulturore, kostot vjetore të tyre, kërkesa e tyre, projektet e parapara për aktivitete dhe zhvillim kulturor. Gjithsesi, një segment shumë i rëndësishëm është edhe sektori civil, i cili, në të shumtën e rasteve vjen me alternativa të shumta kulturore, me aktivitete përtej atyre institucionale dhe, ministria e kulturës në tavolinën e qeverisë duhet të përplasë një “dosje” të paimagjinueshme për politikën dhe politikanët dhe, veç tjerash, duhet t’i sensibilizojë dhe t’i bindë t’i pranojnë kërkesë për kërkese (racionale, të arsyeshme) të shtruar nga komunitetet e ndryshëm të angazhuar në kulturë!
Shikuar nga këndi i interesave të artistëve dhe krijuesve, për sa u tha më sipër, tingëllon bukur e mirë! Por, megjithatë, promotori i një qëndrimi të prerë të ministrisë për kulturë, duhet të jenë vetë artistët e krijuesit! Deri më sot, nuk është dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë rast që flet për rebelimin e krijuesve dhe artistëve kundër modelit politiko-partiak të ministrive të kulturës që i kemi pasur! E kemi pasur të kundërtën! Ministria e kulturës është përdorur si “kërbaç” me të cilën qeveritë e ndryshme i kanë mbajtur të disiplinuar kulturë-bërësit mbi të cilët është ushtruar politika akulturore e qeverive, të cilët çuditërisht buxhetin e ndarë për kulturë e llogarisin si veprimin më të padëshiruar që shkakton një kosto “të panevojshme”! Reagime artistësh e krijuesish gjithnjë ka pasur për buxhet të vogël, për financime qesharake të projekteve, për kalim të pak projekteve dhe asnjëherë nuk ka pasur për politika të gabuara kulturore, të varfra, tendencioze apo edhe diskriminuese. Ndaj reagimeve banale qeveritë kanë ditur të përgjigjen banalisht dhe, në të tilla “banalitete”, gjithnjë ka pësuar kultura! Këtu dhe bije poshtë pyetja e shtruar qysh në fillim: sa është e kulturuar ministria për kulturë. Në fakt, duhet shtruar pyetja: sa jemi të kulturuar, kur do të kulturohet shoqëria? Me politika kulturore që i shohim nëpër viset tona si dhe më gjerë, mjerisht, do të duhet një kohë e gjatë, atëherë kur politika do të bëhet “njësi mësimore” e kulturës! Deri atëherë, ia vlen të shtiremi se po bëjmë kulturë! /HEJZA/

Leave a Reply