Akropoli i identitetit kulturor (2)

Projekti “Shkupi 2014”

Shkruan: Avni Halimi

Më 30 nëntor të vitit 2004, Kuvendi i Qytetit të Shkupit, miratoi programin për ngritjen e dhjetra përmendoreve në qendër të Shkupit, në mesin e të cilave edhe përmendorja e Aleksandrit të Madh, Mbretit Samuil, Justinianit, Karposhit, Mihail Apostolit etj. Që në vitin 2006 pushteti qendror, që atëbotë ishte oponencë e pushtetit lokal të qytetit, u ngut që ta përvetësojë këtë program dhe të mos e lërë nën ingerencat e Komunës së Shkupit në kuadër të së cilës përfshihen edhe dy komuna që menaxhohen nga shqiptarët. Në atë rast do të duhej që të siguroheshin edhe shumica e votave të kuvendarëve shqiptarë në kuvendin e qytetit.
Në fillim të shkurtit të vitit 2010, u hodh në diskutim publik Projekti “Shkupi 2014” duke u shpalosur haptazi politikat e reja për një identitet të ri kulturor e kombëtar maqedonas. Objektet monumentale mbetën projekte të Qeverisë, ndërsa përmendoret, lapidaret, skulpturat e bustet mbetën projekte të Komunës Qendër.
Në fakt, idetë paksa më të sofistikuara të këtij projekti u hodhën 3-4 vite më herët, ndonëse jo nën siglën e ndonjë megaprojekti. Në Programin për punë të Qeverisë së Maqedonisë (2006-2010), në faqen 33-34, në pjesën e Kulturës, thuhet se qeveria do të investojë në ndërtimin e muzeve të reja (muzeu i VMRO-së, muzeu i viktimave të komunizmit), restaurimi autentik i përmendoreve të kulturës (Kulla e Qytetit, Teatri i Shkupit i rrënuar nga tërmeti dhe Shtëpia e Qytetit), ndërtimi i një salle të re koncertale si dhe restaurimi i Godinës së Parlamentit të Maqedonisë! Me miratimin e buxhetit të ri shtetëror më vitin 2010 u lejuan mjete financiare për ndërtimin e këtyre objekteve kapitale: Përmendorja e Nikola Karevit, Përmendore për themeluesit e VMRO-së, përmendore e Presidiumit të LAÇKM, Përmendore për Heronjtë e rënë për Maqedoninë, fasadat e reja të ndërtesave rreth qendrës “Makedonia”, Përmendore për Mbretin Samoil, për Çenton, Fontanë në qendër, Hoteli “Meriot”, Rrotë gjigante panoramike, Rezidencë për kryetarin e Shkupit, Ndërtesë për shërbimin amë, Përmendore për Justinianin e Parë, për Goce Delçevin, për Shën Klimentin dhe Naumin, për Shën Kirili dhe Metodi, për Karposhin, ngritja e Urës SYRI, Ndërtesë për Gjyqin Kushtetues, për Ministrinë e Jashtme, për Arkivin Shtetëror, për Muzeun arkeologjik, për Agjensionin për komunikim elektronik, Godinë për Prokurorinë, Policinë financiare, Kolonada Maqedonia e Pavarur, Ura e Artit e stolisur me dhjetra përmendore dymetërshe, Luanët, Teleferiku i Vodnos, Porta triumfale. Natyrisht, përgjatë realizimit të këtij projekti megaloman u shtuan edhe sërë përmendoresh të personaliteteve kontraversë që u shpërndanë nëpër lagje të ndryshme të qytetit të Shkupit.
Paralelisht me këto projekte, “bombë” për qytetarët e vendit, sidomos për elitën e përgjithshme kulturore, qe insistimi i ish-kryeministrit në egzil, Nikolla Gruevski, për t’iu rikthyer barokut, për ta barokëzuar qytetin e Shkupit, i cili, pas tërmetit katastrofal më vitin 1963, kishte pësuar një rindërtim nga mbarë bota. Kryeministri Gruevski kërkoi që objektet e reja në kuadër të Shkupit 2014 t’i karakterizojë stili barok, ndërsa godinat e vjetra që shtrihen përgjatë qendrës së Shkupit të mvishen me fasada të reja e të marrin pamjen e objekteve të periudhës së barokut.
Puna paraprake e kryer në ngritje të një identiteti të ri kulturor e kombëtar i dha rezultatet e veta! Reagimet e qarqeve të ndryshme kundër barokëzimit të Shkupit u ngulfatën nga përkrahja masive që i dhanë maqedonasit kryeministrit të tyre. Reagimet sollën zëra dhe qëndrime të ndryshme. Një palë mendonte se ndryshimi i arkitekturës së kryeqytetit të vendit duke i dhënë pamjen e barokut duhet të ndodhë pikërisht për t’u tejkaluar pesha hijerëndë e konstatimit fatalist “një popull që nuk ka kaluar nëpër renesancë, nuk meriton që të jetojë”. Një palë tjetër mendonte se ky ndryshim po ndodh vetëm për të shplarë para, për të vjedhur para e për përfitime materiale të një kaste njerëzish të mbledhur rreth kryeministrit. Ky konstatim është tepër tendencioz dhe jo fort i logjikshëm, sepse, për shplarje apo vjedhje lekësh nuk është i nevojshëm vetëm stili barok.
Edhe pse të gjitha reagimet mund të jenë të pranueshëm, megjithatë, ekziston një problem edhe më i madh, më tepër psikologjik se sa kriminalistik apo antihuman.
Kryeministri aktual dhe tajafa e tij i referohen barokut për të përcjellë një mesazh i cili për shoqërinë normale do të duhej të ishte mjaft brengosës. Nëse i referohemi fakteve historike që japin përgjigje për atë se kur u lind dhe pse u lind baroku si stil, si art, si arkitekturë, si skulpturë, si filozofi, do të dalim te e vetmja përgjigje e saktë që flet për këmbënguljen kryeneçe të kryeministrit Gruevski për barokëzimin e Shkupit të shekullit XXI.

(vazhdon)

https://www.facebook.com/104112788651300/posts/136896325372946/

Leave a Reply