HEJZA me Bujar Gashin, fotograf
Bujar Gashi (1980) u diplomua në Universitetin e Prishtinës dhe ndjekës i shumë trajnimeve, sidomos për fotografi, si në Angli dhe France, njihet si promovues i vlerave kulturore, natyrore e historike te Kosovës. Është fitues i shumë çmimeve në fotografi dhe autor i katër ekspozitave. E fundit ishte në Turqi, ndërsa Aeroporti i Prishtinës është vendi ku qëndrojnë varur 12 fotografi, që paraqesin kulturën dhe historinë e Kosovës, Disa nga fotografitë e Bujar Gashit do te prezantojnë Kosovën në panairin “Expo Dubai 2021-22” në Emiratet e Bashkuara Arabe…
HEJZA: Ku ta gjejmë kufirin në mes artit dhe reprodukimit në fotografi?
GASHI: Një fotograf reagon ndaj rrethit dhe ai/ajo bën një fotografi kur sheh diçka që për artistin duket interesante. Artisti ka një koncept në mendjen e tij dhe kërkon ose krijon diçka specifike, që lidhet me një grup të veçantë idesh, nga e cila paraqet realitetin e jetës përmes ngjyrave, dhe në një formë imiton vetë jetën, ndërsa fotografia artistike ka të bëjë me shikimin përtej jetës.
HEJZA: Cila është bota e fotografit në çastin e shkrepjes së aparatit para të bukurës?
GASHI: Mos të keni frikë, të jeni mendje-hapur, të keni besim në vete, bëhuni origjinal, bëhuni vetja dhe nëse këto i gërshetoni, atëherë padyshim qëe produkti final do t’ju paraqesë botën tuaj të brendshme.
HEJZA: E shëmtuara si kryevepër! Sa është provokuese ky fenomen estetik te fotografët?
GASHI: Veprat e artit/fotografisë që arrijnë statusin e kryeveprës ndajnë disa karakteristika, ato përcjellin një lloj të veçantë origjinaliteti që kap imagjinatën, ato i qëndrojnë kohës, dhe ato ndryshojnë mënyrën se si artistët/fotografët mendojnë për botën e tyre.
HEJZA: Si duket sot bota e fotografisë artistike. Kah po shkon ajo?
Në thelb, qëllimi i fotografisë është të komunikojë dhe dokumentojë moment te caktuara. Kur bëni një fotografi dhe e ndani me të tjerët, ju po tregoni një moment të ngrirë përmes një fotografie. Ky moment mund t’i tregojë dikujt shumë gjëra, nga mjedisi e deri tek ajo që bëjnë njerëzit. Ndërsa në ditët e sotme aplikohen fotografi abstrakte, të cilat kanë marrë shumë vëmendje, pastaj astrofotografia, ato arkitektonike, portrete, fotografi biznesi / komerciale, ato krijuese të cilat ngjallin kureshtje dhe tërheqin vëmendjen e opinionit.
HEJZA: Në historinë e fotografisë artistike fotografët shqiptarë zënë vend jashtëzakonisht të meritueshëm.
GASHI: Kultura jonë dhe historia e jonë, duhen zbuluar dhe vlerësuar jo vetëm përmes teksteve, por edhe përmes fotografisë. Ndërsa fotografët shqiptarë kanë arritur ta konfirmojnë këtë vlerë përmes fotografisë së tyre ndër vite, duke zënë një vend të merituar në historinë e fotografisë shqiptare dhe asaj botërore.