Kërkesa ndërkombëtare për fluturime shënoi rënie të ndjeshme me 91,9% në muajin korrik, nga viti në vit, njoftoi sot Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA). “Kërkesa shënoi një rimëkëmbje të lehtë nga muaji i kaluar kur kërkesa regjistroi rënie vjetore prej 96,8 %”, theksoi IATA në një njoftim për media.
“Kapaciteti regjistroi rënie prej 85,2% ndërsa faktori i ngarkesës u ul me 38,9 pikë duke arritur në 46,4%”, shtoi ajo. Rihapja e tregut të aviacionit në zonën Shengen kontribuoi në kërkesën ndërkombëtare në Europë, por tregjet e tjera globale shënuan ndryshime të lehta në korrik, kundrejt qershorit, vuri në dukje ajo.
Drejtori ekzekutiv i IATA-s, Alexandre de Juniac theksoi se kriza e kërkesës vazhdoi edhe gjatë muajit korrik. “Meqenëse katër në pesë udhëtarë ajror qëndrojnë në shtëpi, industria mbetet kryesisht e paralizuar”, shtoi ai. “Masat e qeverive për rihapje dhe më pas mbyllje të kufijve ose heqja dhe më pas vendosja e karantinave nuk u jep shumë besim konsumatorëve për të bërë plane udhëtimi, as linjave ajrore për të ripërshtatur oraret”, nënvizoi ai.
Gjatë njoftimit për media gjithashtu u bë e ditur se trafiku ajror i brendshëm ishte po ashtu në rënie me 57,5 % në korrik, pas rënies prej 68 % në qershor. Që nga shfaqja e saj në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 ka infektuar miliona njerëz dhe ka marrë qindra mijëra jetë në të gjithë botën.
Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri goditën shumë sektorë, veçanërisht udhëtimet, aviacionin, turizmin dhe prodhimin.