Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson i ka ftuar liderët politikë të Kosovës të miratojnë sa më parë ligjin dhe amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale.
Jacobson paralajmëroi se Amerika dhe aleatët e tjerë të Kosovës nuk do ta pengojnë krijimin e gjykatës nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në rast se Kosova dështon të bashkëpunojë në krijimin e saj.
“Ende jemi duke pritur nga qeveria që ta pranojë draftin e fundit i cili është prezantuar nga Brukseli. Kemi pasur shumë raunde negociatash të zorshme, por në fund këshilltarët ligjorë, avokatët nga Bashkimi Europian dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit kanë dalë me draftin e fundit që ne themi se është më i miri i mundshëm. Dhe unë shpresoj që qeveria të marrë një vendim së shpejti rreth kësaj çështjeje, që të dërgohet në Kuvend dhe dhe Kuvendi të marrë vendimin e vet. Sepse, të gjithë e dimë se cila është alternativa tjetër: nëse qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk e miratojnë këtë, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë strategjikë të Kosovës nuk do ta bllokojnë procesin në Kombet e Bashkuara. Prandaj thërras udhëheqësit politikë në qeveri dhe në Kuvend që të lëvizin përpara, që të marrin vendimin e të mos rrezikojnë legjitimitetin e vazhdueshëm dhe reputacionin e Kosovës, për hir të një numri të vogël njerëzish që mund të akuzohen”, deklaroi Jacobson.
Por ndërsa ambasadorja amerikane po i fton krerët e institucioneve të miratojnë sa më parë Gjykatën Speciale, liderët e partive opozitare po kërkojnë që Specialja të mos miratohet.
Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, nëpërmjet një letre publike kanë kërkuar nga Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Isa Mustafa, kryekuvendari Kadri Veseli e zv.kryeministri Hashim Thaçi të ndërpresin menjëherë themelimin e Gjykatës Speciale.
Në një letër publike dërguar krerëve të shtetit, opozitarët kanë kërkuar nga ata të mos e pezullojnë shtetësinë e Kosovës përmes delegimit të një pjese të sovranitetit në duart e ndërkombëtarëve.
Sipas këtyre partive, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me interpretimin e ndryshimeve kushtetuese është i motivuar politikisht, pasi një pjesë e gjyqtarëve në këtë gjykatë janë nën hetim.
Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë miratimin e ndryshimeve kushtetuese për Gjykatën Speciale me arsyetimin se deputetët së pari kanë nevojë ta shohin ligjin për këtë gjykatë, i cili ende nuk është miratuar në qeveri.