“Jemi në kulmin e rrezikut, të mos hedhim poshtë punën e deritanishme”
Pas rreth një muaji izolim, kryeministri britanik Boris Johnson u rikthye në punë këtë të hënë. Në fjalimin e tij të parë, shefi i qeverisë britanike njoftoi se nuk do të lejojë një lehtësim të shpejtë të masave të ashpra për frenimin e përhapjes së COVID-19.
“Ky është momenti i rrezikut maksimal. E kuptoj shqetësimin për pasojat afatgjata të masave bllokuese në ekonomi, por shoh edhe rrezikun e një vale të dytë infektimesh që do të shtojë jashtëzakonisht numrin e vdekjeve dhe do të sjellë një katastrofë të vërtetë ekonomike”, tha ai.
Kryeministri Johnson theksoi se falë masave bllokuese u arrit që sistemi shëndetësor të përballonte me sukses nevojën kurim të pacientëve me Covid-19. Në të kundërt, sipas tij shëndetësia do të pësonte kolaps dhe shifrat do të ishin shumë herë më të larta. Kulmi i pandemisë në këtë vend duket se ka kaluar. 24 orët e fundit u shënuan 413 të vdekur, shifra më e ulët e një muaji.
Shifrat tregojnë se edhe Britania e Madhe po e ve nën kontroll përhapjen e pandemisë, ashtu si dy vatrat e tjera të nxehta të Europës, Italia dhe Spanja. Autoritetet spanjolle njoftuan 331 të vdekur në 24 orët e fundit, ndër shifrat më të ulëta të më shumë se 6 javëve.
Edhe Italia njoftoi 260 vdekje ditore, minimumi i të njëjtës periudhe. Por në dallim nga Britania e Madhe, të dy vendet kanë shpallur planin për lehtësimin e masave. Kryeministri italian Giuseppe Conte njoftoi se më 4 Maj do të nisë zbatimi i një pakete të re masash lehtësuese, ku do të rihapen disa fabrika dhe kantiere ndërtimi mes masash rigoroze të distancimit social. Ndërsa më 18 Maj do të rinisin trajnimet e ekipeve italiane të futbollit.
Numri i të prekurve në gjithë globin arriti në 3 milionë, ndërsa të vdekurit mbi 206 mijë. Të shëruarit përbëjnë rreth 30% të totalit të të prekurve.