Letër nga Maqedonia e Veriut
Decentralizimi i institucioneve kulturore do të ishte hileja më e turpshme që do t’u bëhej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, nëse paraprakisht, në komunat shqiptare, nga buxheti shtetëror nuk do të ndërtoheshin shtëpitë për kulturë, me tërë infrastrukturën dhe resurset e nevojshme për jetë kulturore institucionale
Në vitin 2006, Arbën Xhaferi po shtynte idenë e kulturës institucionale ndër shqiptarët e Maqedonisë. Ky ishte edhe kushti i pakapërcyeshëm që ia vuri mandatarit për kryeministër, Nikolla Gruevskit, për të participuar në qeverinë e tij. I madhi, Arbën Xhaferi, ishte i bindur se institucionalizimi i jetës kulturore shqiptare, veç tjerash, do të gjeneronte qindra e qindra vende punë për të rinjtë, të rejat, profesionistët shqiptarë, një administratë e tërë dhe e domosdoshme, madje e profilizuar, në sferën e zhvillimit dhe avancimit kulturor. Brenda një viti (2007) u themelua Teatri Shqiptar në Tetovë, Instituti për Trashëgimi Kulturore e Shpirtërore e Shqiptarëve, Galeria e Arteve në Tetovë, Instituti për Konservim në Gostivar. Në këto institucione nacionale shqiptare u punësuan qindra të rinj të profileve të ndryshëm kulturor.
Ishte ngritur edhe ideja e themelimit të Bibliotekës së Tetovës me më tepër salla përkatëse për aktivitete të larmishme kulturore. Për më tepër se dhjetë vite u zvarrit hedhja e gurit themeltar si pasojë e lojërave dhe inateve politike, sepse njëra parti shqiptare që ishte në pushtetin qendror sabotonte punën e partisë tjetër shqiptare që drejtonte pushtetin lokal dhe anasjelltas. Frikësoheshin nga përfitimet e pikëve politike dhe, për pasojë, e viktimizonin institucionalizimin e jetës kulturore e intelektuale.
Sot, në asnjë komunë të Qytetit të Shkupit ku me shumicë janë shqiptarë, nuk kemi një sallë për aktivitete kulturore dhe të mos flasim Shtëpi të kulturës. Komuna e Çairit, e Sarajit, e Studeniçanit, e Haraçinës ku jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë nuk kanë Shtëpi të kulturës. Nga ana tjetër, janë ndërtuar me dhjetëra salla modulare sportive. Shqiptarët e Maqedonisë së veriut i duan sportet. Jo rastësisht nga gjiri i vet kanë nxjerrë sportistë me famë botërore. Prej tyre Maqedonia si shtet ka përfituar shumë! Po çka kanë përfituar sportistët shqiptarë nga ky shtet? Shqiptarët le ta ngrenë flamurin maqedonas nëpër gara sportive e kompeticione botërore, maqedonasve “u duhet” të merren me kulturë dhe të jenë gjithandej nëpër evente kulturore botërore!
Tetova me dy Universitete, me fakultet arti, me mbi 10 mijë studentë e me jetë institucionale kulturore zero! Asnjë iniciativë për një filharmoni, për një operë, si institucione nacionale shqiptare! Nuk mbajnë konstatimet ofenduese se akoma nuk ka kuadër profesional për të tilla “institucione për art aristokrat”! Deri para ca vitesh nuk kishte as Filharmonia e Kosovës e as ajo e Maqedonisë së Veriut, por për çdo koncert më spektakolar, huazonin njëra prej tjetrës nga 30-40 instrumentistë!
Decentralizimi i institucioneve kulturore do të ishte hileja më e turpshme që do t’u bëhej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, nëse paraprakisht, në komunat shqiptare, nga buxheti shtetëror nuk do të ndërtoheshin shtëpitë për kulturë, me tërë infrastrukturën dhe resurset e nevojshme për jetë kulturore institucionale. Të ndërtohen këta institucione, të punësohet kuadro profesional e menaxhues dhe pastaj le të përfundojë “decentralizimi i kulturës”! Tërë ky projekt nacional shqiptar nuk do të kushtonte më shumë se sa një çerek i projektit nacionalist “Shkupi 2014”! Nuk ka qytet maqedonas, nuk ka komunë maqedonase (madje edhe ato rurale) ku nuk ka Shtëpi të kulturës. Kjo është strategji kombëtare maqedonase. Po nëpër “strategjitë” e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në sa rreshta programore mund të haset fjala “kulturë”? /HEJZA/