Gjatë punimeve të asamblesë së përgjithshme të kombeve të bashkuara në Nju Jork, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Japonia i kanë bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump dhe atij të Iranit Hassan Rouhani të zhvillojnë një takim për normalizimin e marrëdhënieve. Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha gjatë fjalës në Kombet e Bashkuara, se do të ishte “një mundësi e humbur” nëse Rohani, do të largohej nga SHBA, pa u takuar me homologun e tij amerikan Donald Trump.
“Unë besoj është krijuar një mundësi e mirë në këtë kontekst për rifillimin e menjëhershëm të negociatave. Tashmë është koha që Irani dhe SHBA-të të punojnë sëbashku për të kapur momentin. Ka një dëshirë të përbashkët për të arritur progres dhe jo për të shfrytëzuar momentin për një përshkallëzim të situatës, por për të ndërtuar një marrëdhënie diplomatike afatgjatë, e një gjë e tillë është në varësi të të dyja palët. Nuk mendoj se do të ketë një mundësi më të mirë se kjo në javët apo muajt në vijim për Ruhanin që ndodhet në SHBA, dhe nuk mendoj që presidenti Trump do të shkojë në Teheran. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që nuk duhet humbur, dhe njëkohësisht mundësia më e mirë për të filluar negociatat është të zhvillohet një takim mes dy protagonistëve kryesorë.”
Edhe kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson pas takimit me Rohanin dhe Macron në Kombet e Bashkuara, mbështeti deklaratën e presidentit francez.
Te njëjtin apel përsëriten edhe udhëheqësit e vendeve te tjera. Por Ruhani këmbëngul se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve nëse SHBA-të nuk pezullon sanksionet.
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë në kulmin e tensioneve që nisën rreth një vit më parë kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore. Së fundmi Uashingtoni ka akuzuar Teheranin për sulmin ndaj rafinerive të naftës në Arabinë Saudite, dhe kanë shtuar sanksionet ekonomike.