Mbledhja LSI-PD pas protestës, zbardhet debati me dyer të mbyllura

Opozita do të dalë në protesta në fillim të vitit të ardhshëm për të kundërshtuar zgjedhjen e Kryeprokurorit vetëm me votat e Edi Ramës.

Në një mbledhje të të gjithë spektrit opozitar parlamentar në selinë e PD-së, pas zhvillimit të protestës përpara Parlamentit, deputetët e dy grupeve parlamentare vendosën për aksionin që do të ndjekin në raport me shumicën parlamentare pasi u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm.

Mbështetjen më të madhe për organizimin e protestës gëzon fundjava e tretë e janarit.

“Nisja e një vale protestash popullore në ditët e para të janarit për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit, që sot është edhe Kryeprokuror i vendit, duke rrezikuar stabilitetin, demokracinë dhe integrimin e vendit. Nisja që sot e përgatitjes për një valë protestash popullore”, tha Basha në përfundim të mbledhjes. Në mbledhje u vendos të mos kalohet në vendimmarrjen e propozuar nga ish-kryeministri për djegie të mandateve. Berisha kërkoi jashtë Parlamentit, por edhe në mbledhjen e grupit opozitar që, deputetët të djegin mandatet përballë kësaj shkeljeje kaq flagrante të Kushtetutës nga maxhoranca. Por, për këtë çështje, kreu i opozitës Basha deklaroi se do të jenë qytetarët ata që do të vendosin.

“Në raport me Parlamentin e delegjitimuar do të marrim vendimin më të mirë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi kreu i PD.

Burime nga mbledhja e grupit opozitar bëjnë me dije se deputetët e opozitës kanë hartuar një kërkesë me shkrim për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e maxhorancës për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Do të jetë një grup juristësh që në ditët në vijim, do të përgatisin kërkesën dhe do ta depozitojnë në Kushtetuese.

DEBATI NË GRUPIN E OPOZITËS SË BASHKUAR

Lulzim Basha: Në fillim të kësaj mbledhjeje, e para e kësaj natyre, dua t’ju falënderoj të gjithë deputetëve për reagimin që keni bërë sot në Parlament. Ishte një reagim i nevojshëm për situatën që po kalon vendi. Ajo që ndodhi sot jashtë dhe brenda Parlamentit, është ajo që ndodh në çdo vend eUropian kur shkelet kushtetuta dhe kur kapet drejtësia. Maxhoranca sot, ashtu siç edhe pritej, ka konsumuar një puç kushtetues, duke shkatërruar përfundimisht pritshmëritë e kujtdo që mund të ketë Reformë në Drejtësi në këtë vend. Dua t’ju shpreh mirënjohje të gjithë deputetëve të grupit tim parlamentar, por edhe atyre të LSI-së, që brenda dy ditësh nga marrja e vendimit për zhvillimin e kësaj proteste, arritët të mobilizonit njerëzit dhe të kishim një reagim dinjitoz sot përpara Parlamentit. Është e qartë, e kam thënë edhe publikisht, po e them edhe këtu se, qëllimi kryesor i kapjes së Kryeprokurorit nga Rama, është fillimisht për të mbrojtur vetën e tij dhe më pas të gjithë me radhë, Tahirin, Dakon, Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë veten e tij. Këtë mbledhje e kemi thirrur për të diskutuar lidhur me qëndrimin që opozita e bashkuar do të mbajë në raport me maxhorancën dhe marrëdhënien e saj me Parlamentin.

Monika Kryemadhi: Edhe unë doja t’ju falënderoja. Sot ka qenë një nga seancat më të këqija për shumë prej nesh në jetën parlamentare. Megjithatë, përballë një njeriu si Edi Rama duhet të jesh i përgatitur për gjithçka. Sot ka dhunuar Kushtetutën, ka dhunuar deputetet e LSI-së, ka dhunuar protestuesit në rrugë. Por, në bindjen time, reagimi i sotëm i opozitës e ka frikësuar. Unë e njoh Ramën dhe ai është një frikacak kur bëhet fjala për popullin. Ndaj, edhe do të kërkoja që aksionet e opozitës të mos ndalen deri në rrëzimin e qeverisë së tij me protesta.

Fatmir Mediu: Reagimi i sotëm, edhe në gjykimin tim, ishte në përmasat që meritonte situata, në të cilën ndodhemi. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë një shkelje kaq flagrante e Kushtetutës. Por kjo situatë dhe rrjedha që mori çështja e zgjidhjes së Kryeprokurorit e bën të domosdoshme që partitë opozitare të rakordojnë më mirë qëndrimet e tyre që mesazhi që kërkojmë të përcjellim te publiku, të jetë i qartë. Por jo vetëm publiku, edhe ne si drejtues të forcave politike apo si deputetë, duhet të jemi të informuar për vendimmarrjen dhe për rrugën që do të përballemi me qeverinë.

Vangjel Dule: Kjo është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në shtetin shqiptar. Kjo qeveri nuk ka kufij, kalon nga njëri skandal në tjetrin dhe nuk shqetësohet aspak për këtë. Duket sikur për qeverinë kjo është një strategji, që e ndjek prej kohësh, nga skandali bie në skandal dhe të gjitha harrohen njëri pas tjetrit dhe ata që vuajnë, janë shqiptarët. Duhet një reagim i fortë, nuk ka asnjë rrugë tjetër veç përballjes me këtë qeveri.

Eduard Halimi: Me vendimin e sotëm, maxhoranca i ka vënë kazmën Kushtetutës dhe Reformës në Drejtësi. Të gjithë kërkuam Reformën në Drejtësi dhe tani që vjen koha për t’u zbatuar, ata zgjedhin në mënyrë të njëanshme Kryeprokurorin. Tani është koha që ne si opozitë të kemi edhe një vendimmarrje sa i takon angazhimit, që anëtarët tanë duhet të kenë në organet e reja që po krijohen. Për këtë duhet një vendim nëse do të marrim pjesë ajo, sepse opozita ka anëtarët e saj në këto organe.

Sali Berisha: Kjo që ka ndodhur sot është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Parlamentit shqiptar. Kurrë nuk ka ndodhur që të marrësh fjalën për procedurë dhe mos të të lejojë Garda, me urdhër të Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, të shkosh drejt foltores. Ai nuk ka më asnjë lidhje me Parlamentin, ai është një vend banditësh. Ne sot kemi narkoshtet, që do të marrë çdo institucion dhe dhunon në mënyrën më të turpshme aktin themeltar të shtetit, Kushtetutën e vendit. Unë e kam thënë edhe publikisht dhe po e përsëris edhe këtu, se kësaj opozite me këtë Parlament, i cili e dhunon në shkallë ekstreme, i lind e drejta, sidomos pas emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm nga Rama, të marrë çdo vendim për të përmbysur narkoregjimin e Edi Ramës. Në Parlament, me banditë të cilët u vënë prita deputetëve, mund të ketë vetëm një gjuhë: djegien solemne të mandateve dhe kjo sepse nuk ka ndodhur kurrë që deputetit t’i organizohet pritë në Parlament. Ky është gjykimi im. Pa dyshim jam që të zhvillojmë protestat më masive që ka pasur ky vend, se kurrë më parë në këtë vend nuk është dhunuar në këtë formë Kushtetuta.

Gent Strazimiri: Me Edi Ramën duhet të ketë përballje të vazhdueshme. Përfaqësuesit tanë duhet të jenë në çdo takim, në çdo tubim, në çdo mbledhje të Edi Ramës. Ai duhet ta dijë se vendimi që ka marrë sot nuk është thjesht një ngritje kartonësh që është mësuar të bëjë në Parlament, por një dhunim barbar i Kushtetutës së vendit. Klevis Balliu: Unë do të propozoja që të gjithë si deputetë të opozitës të organizonim protesta në qytetet në të cilat jemi zgjedhur. Reagimi nuk duhet të vijë vetëm nga Tirana, por edhe nga e gjithë Shqipëria. Ka shumë qytetarë edhe në zonën time elektorale që duan të protestojnë, por e kanë të pamundur të vijnë në Tiranë, ndaj edhe duhet parë mundësia që protesta të ketë kudo.

Lulzim Basha: Fillimisht ka nevojë për një protestë masive popullore për t’i dhënë një tjetër sinjal kësaj qeverie se përballë ka një opozitë nga ajo e cila u drodh sot në Parlament. Fundjava më e afërt është 22 dhe 23 dhjetori, por këto data janë në vigjilje të festës së Krishtlindjeve dhe nuk mendoj se do të ishin shumë të përshtatshme për të thirrur njerëzit në shesh.

Ervin Salianji: Në gjykimin tim, ne si opozitë nuk mund të merremi më me protesta të vogla, nuk mundemi në asnjë mënyrë ta ulim tempin dhe tensionin që qytetarët e kanë me qeverinë. Duhet, që njësoj si sot, të ndjekim linjën e përballjes së fortë në Parlament, por paralel me protesta me pjesëmarrje të gjerë përpara Kryeministrisë dhe të mos tërhiqemi. Besoj se është më i përshtatshëm janari, edhe për t’u dhënë kohë të gjitha strukturave të organizohen. Gjithashtu, do të ishte me vend dhe e frytshme që opozita të ketë qëndrime të unifikuara! Për mua nuk duhet të dalim me teza që shfokusojnë vëmendjen nga Rama dhe protestat. Për ne shqetësimi dhe fokusi i protestave duhet të jetë një dhe i vetëm: kapja e kryeprokurorit dhe e shtetit nga Edi Rama dhe krimi. Edhe LSI duhet të ndjekë PD-në në qëndrimet e saj, pa pasur qëllim për protagonizëm të saj apo për të pasur qëndrime të tjera.

Përparim Spahiu: Unë mendoj që protesta që u bë sot, në ditën e mbylljes së Parlamenti, të bëhet të hënën e tretë të janarit, ditën që nis sesioni i ri parlamentar. E vlerësoj si të nevojshme, por edhe të mjaftueshme një muaj kohë për të organizuar një protestë masive përpara Kryeministrisë. Kemi parasysh që jemi edhe momente festash këtë muaj dhe, pavarësisht forcës së argumenteve që mund të përdorim, askush nuk ka kohë të merret me politikë.

Lulzim Basha: Nëse për të gjithë kolegët shihet janari si më i përshtatshëm, atëherë do të lihet java e dytë ose java e tretë e janarit për zhvillimin e protestës. Ne do të kemi një koordinim edhe më të gjerë të qëndrimeve tona për të denoncuar çdo ditë kapjen e kreut të Prokurorisë. /Panorama/

Leave a Reply