Ai ditë më parë hodhi ngjyrë mbi muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, në Beograd.
Sipas mediave, ai ka vendosur të largohet pas këshillës të miqve.
“Pas asaj që ndodhi të mërkurën me muralin e Mladiqit, kam qenë i detyruar të largohem për një kohë nga Beogradi. Shpejt do të kthehem, nuk kam frikë, ka të bëjë më shumë me shqetësimin e të tjerëve”, ka thënë ai, përcjell portali Klix.
Zhujoviq thotë se kërcënimet nuk i ka raportuar në polici. E plot 28 kërcënime me jetë për pak ditë ka marrë politikani tjetër liberal në Serbi, Sergej Trifunoviq. Ai u kërcënua nga nacionalistët serbë që po e mbrojnë muralin, pasi tha se murali duhet të shlyhet dhe se Mladiq nuk është hero.
“Unë kam miq për të cilët Mladiqi është hero. Unë njoh shumë prej atyre të cilët Mladiqi ua shpëtoi jetën. Unë e respektoj këtë. Por sado koka të shpëtosh, nëse vret disa mijëra njerëz, nuk mund të jesh hero. Le të jenë heronj disa njerëz të tjerë”, tha Trifunoviq.
Mediat e pavarura serbe gjatë ditëve të fundit kanë raportuar se muralin e kriminelit të luftës, të dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për krime dhe gjenocid në Bosnjë, po e ruan policia civile. Këtë e mohoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pati edhe përleshje mes atyre që po e mbrojnë muralin dhe aktivistëve që deshën ta shlyejnë atë.
Për këtë mural, reagoi edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se në shoqëritë demokratike që synojnë integrimin nuk bën të mbrohet një kriminel lufte.
Murali edhe sot është ne Beograd.